Teksa diskutonte për buxhetin 2022 në Kuvend, deputetja e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo vuri në dukje problemet e pensionistëve.

 

Pjesa më e madhe, tha Bozo, marrin një pension qesharak. Sipas saj, ky shqetësim mund të zgjidhet vetëm përmes ndërhyrjes në ligj.

 

Duke bërë disa propozime për përmirësimin e situatës në këtë aspekt, ajo theksoi se një grup ekspertësh duhet të analizojë se sa është minimumi jetik me të cilët pensionistët mund të sigurojnë jetën e tyre.

 

“Të rishikohet legjislacioni për pensionistët përpara ndërmarrjes së reformës së pensioneve. Nga një grup ekspertësh të përcaktohet sa është minimumi jetik dhe për pasojë pensioni minimal të mos jetë më i vogël se kaq. Së treti, në numrin total të pensionistëve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore të na raportojë se sa pensionistë e kanë pensionin më të vogël se 20 mijë lekë. Nëse kjo shifër është e madhe do të thotë se situata e pensioneve është serioz. Mendoj se shërbimi shëndetësor falas, pavarësisht se mendoj se në sistem është futur, për pensionistët duhet kontrolluar nëse është  i tillë për analiza dhe konsulta pasi nuk është kështu në praktikë. Pensionistët duhet të marrin të gjithë ilaçet e rimbursueshme ose të shtohet kjo listë. Kemi shumë pensionistë që ishin profesionistë dhe kanë kapacitete intelektuale dhe këto duhet të shfrytëzohen me zgjuarsi. Të shpërblehen. Kjo gjë mund të rregullohet me ligj. Së fundmi duhet shtuar numri i qendrave sociale, jo azile ku mund të punojnë të rinjtë. Në këto qendra mund të ketë shumë aktivitete në fushën e artit, kulinarisë, qëndisjes etj. Të kalojnë kohën me njëri-tjetrin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *