Lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenko, ka thënë se është duke bërë gjithçka që mundet për të ndihmuar në dhënien fund të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila është “zvarritur” më gjatë sesa e ka menduar ai.

 

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Associated Press, të publikuar më 5 maj, Lukashenka ka thënë se Kievi ka “provokuar” Moskën, teksa ka komentuar pushtimin rus në Ukrainë. Ndonëse nuk ka dhënë hollësi sesi Ukraina e ka provokuar Rusinë para nisjes së luftës, Lukashenko ka thënë se ka informacione që tregojnë se Ukraina ka planifikuar të sulmojë edhe bjellorusët.

 

Lideri bjellorus i ka ndihmuar Rusisë në këtë konflikt duke ia lënë të lirë territorin e shtetit për të nisur sulme në tokën ukrainase. Lukashenko është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar, prej kur ka pretenduar fitore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat opozita i konsideron të manipuluara.

 

Lideri bjellorus – i cili është në pushtet nga viti 1994 – është përballur me protesta masive, të cilat ka tentuar t’i shuajë përmes taktikave të ashpra. Lukashenka, 67-vjeçar, ka thënë për AP-në se është duke bërë “gjithçka” që mundet për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

 

“Nuk jam i zhytur aq në këtë problem sa të mund të them nëse gjithçka shkon sipas planit, siç thonë rusët. Dua të theksoj edhe një herë, më duket se ky operacion është duke u zvarritur”, ka thënë Lukashenko nga Minsku.

 

Sipas tij, përdorimi i armëve bërthamore do të ishte gjë e “papranueshme”, mirëpo ka thënë se nuk e di nëse Rusia ka plane të tilla. Presidenti rus, Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë përmendur disa herë arsenalin bërthamor të shtetit, prej kur Putin ka nisur luftën në Ukrainë më 24 shkurt.

 

Putin e ka vënë forcën bërthamore në gatishmëri të lartë pak ditë pas nisjes së pushtimit./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *