Lukashenko: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të përfundojë në barazim

Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të përfundojë me “barazim”, njoftoi sot agjencia shtetërore e lajmeve Belta.
“Ukraina nuk do të fitojë në fushën e betejës. Ukrainasit dhe Perëndimi e kuptojnë këtë. Kështu që ata duhet të ndryshojnë pozicionet, duhet të arrijnë një marrëveshje”, tha Lukashenko në një konferencë të sigurisë në Minsk.
“Nëse duhet të bëhet menjëherë, mund të përfundojë në barazim. Unë po përdor zhargonin sportiv tani”, tha ai.
Lukashenko, një aleat i Kremlinit, nuk shpjegoi se si mund të arrihet një zgjidhje e tillë, por iu referua negociatave ruso-ukrainase të zhvilluara menjëherë pas fillimit të pushtimit rus në 2022.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke iu referuar deklaratës së Lukashenkos, tha se një kompromis nuk është i pranueshëm.
“Një barazim nuk do të mbronte në mënyrë adekuate interesat e të gjitha palëve të përfshira”, tha ai në Minsk.
Rusia aneksoi ilegalisht gadishullin e Krimesë në vitin 2014. Pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, Moska u përpoq të pushtonte katër rajone në Ukrainën juglindore, të cilat i aneksoi edhe pse nuk i kontrollon plotësisht këto territore.
Ndërsa përparimi i forcave ruse vazhdon, Moska pretendon se mund të arrijë qëllimet e saj, të cilat kërkojnë që Ukraina të heqë dorë nga pretendimet ndaj këtyre katër provincave dhe të braktisë ofertën e saj për t’u bashkuar me NATO-n.
Kievi është zotuar të rimarrë kontrollin e të gjithë territorit të pushtuar nga forcat ruse, përfshirë gadishullin e Krimesë.




