Provokimet e ditëve të fundit të Koresë së Veriut me testimet e raketave dhe qëndrimin për programin bërthamor kanë çuar presidentin amerikan Trump të marrë një tjetër vendim të rëndësishëm.
Ushtria amerikane ka urdhëruar një grup goditës të marinës t’i drejtohet gadishullit korean. Në të bëjnë pjesë një aeroplanmbajtëse dhe disa luftanije, që lundrojnë drejt pjesës perëndimore të Oqeanit Paqësor. Ky veprim u cilësua nga komanda amerikane e Paqësorit si një masë e kujdesshme për të ruajtur gatishmërinë në rajon.
Më herët, presidenti Trump e kishte bërë të ditur se SHBA është përgatitur për të vepruar e vetme ndaj kërcënimit bërthamor të Phenianit. Koreja e Veriut ka zhvilluar disa prova bërthamore dhe sipas ekspertëve pritet të tjera, pasi parashikojnë se të tjera priten në vijim, pasi vendi po shkon drejt zhvillimit të raketave me mbushje bërthamore, që mund të arrijnë deri në SHBA.
Në mesjavë në prag të vizitës së presidentit kinez Jinping në SHBA, Pheniani lëshoi një raketë balistike me rreze të mesme veprimi nga porti lindor Sinpo drejt detit të Japonisë. Testi u dënua nga Japonia dhe Koreja e Jugut, por Koreja e Veriut u kundërpërgjigj se stërvitjet ushtarake mes SHBA dhe fqinjit të saj jugor i sheh si provokim dhe përgatitje për pushtim.





