Partia Demokratike i ka shpallur “luftë” mazhorancës pas dënimit me një vit burg të Ervin Salianjit. Në seancën parlamentare të së hënës, opozitarët shkaktuan kaos në sallë dhe dogjën karrige jashtë Kuvendit. PS kërkoi përjashtimin e tyre dhe ditën e sotme Sekretariati i Etikës përjashtoi me 60 ditë Flamur Nokën, Bledion Nallbatin dhe Gazment Bardhin, ndërsa Edi Palokën me 10 ditë.
Ndërsa me 40 ditë u përjashtuan deputetët Saimir Korreshi, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me gazetarin Aleksandër Furxhi, ishte analisti Edvin Kulluri. Kulluri ka se “lufta” mes mazhorancës dhe opozitës nuk ekziston, por është vetëm një teatër nga ana e të dyja palëve. Gjitashtu Kulluri tha se biseda në dosjen “Babale” për të cilën u dënua Salianji, është e sajuar.
Intervista e plotë
-PD dhe segmentet e opozitës kanë shpallur se janë në luftë me qeverinë. Si e shikon këtë luftë?
Kulluri: Kjo është një luftë e humbur 7 herë resht në 11 vjet. Tre herë në rrugë, në çadër, në 2019 me mandatet. Këtu nuk ka asnjë luftë, këtu ka një teatër të dy palëve.
-Edhe në kohën që ju keni qenë pjesë e strukturave të partisë…kujtoj që ju keni qenë në kryesinë e PD-së apo jo?
Kulluri: Nuk ka funksionuar kjo rrugë, rezultati dihet. PD është akoma në opozitë. Është provuar në 2017-ën të shkohet në ekstrem me çadrën, në 2019 akoma më keq kur u dogjën mandatet, u bojkotuan zgjedhjet lokale, rezultati ka qenë zero. Dje kanë marrë mesazh nga ndërkombëtarët që nuk është kjo rruga për të bërë opozitë, për të bërë politikë. Ky është teatër i të dy palëve. Ata duan të radikalizojnë mbështetësit e vet për shkak se votuesit gri dhe të pavendosur janë rritur shumë. Është normale, pas 12 vitesh në pushtet një parti dhe një opozitë që nuk po prodhon dot alternativë, është normale që vota e pavendosur të rritet.
-Kjo situatë e acaruar erdhi për shkak të Ervin Salianjit, i cili shkoi në burg. Ai është vetëdeklaruar si i pari i burgosur politik në Shqipëri në 34 vite puralizëm. A u dënua ai se denoncoi një të dënuar për trafik droge apo u dënua se fabrikoi një denoncim të rremë?
Kulluri: Kjo është e qartë, Salianji nuk është dënuar se tha të vërtetën për Agron Xhafajn, se aty ka thënë të vërtetën. Patjetër që pretendimi i PD që zoti Xhafaj nuk mund të ishte ministër i Brendshëm për sa kohë nuk ekzekutohej nga policia e shtetit një urdhër ndalimi që do të ishte në atë kohë për vëllanë e Fatmir Xhafajt, është normal. Nuk besoj se ka ndonjë të çmendur në Shqipëri që t’i thotë Ervin Salianjit që ke bërë gabim që ke kërkuar dorëheqjen e Xhafajt pse nuk arreston vëllanë. Salianji është dënuar nga Gjykata sepse biseda e dosjes “Babale” është e sajuar. Në atë bisedë ka 30% të vërteta, vetëm 30 sekondat e para. Fillimi i bisedës midis Agron Xhafajt dhe Babales, pjesa tjetër ka qenë një nxitje e Babales për ta implikuar Geron Xhafën në trafik narkotikësh. Dhe ai për këtë është dënuar, nuk është dënuar se ka thënë që Agron Xhafa ka qenë i dënuar. Këtu ka thënë një fakt.
-Pas disa muajsh janë zgjedhjet parlamentare. Çfarë bëhet me partinë e zotit Lulzim Basha, pjesë e së cilës ju u bëtë muajt e fundit. Çfarë po ndodh me ato thërmija që kanë ngelur jashtë PD-së së Berishës.
Kulluri: Këtu nuk ka thërmija, këtu ka pasur një votë të deklaruar qartë, alternative ndaj PD-së së Berishës 104 mijë vota më 14 maj. Besoj që vota që do të shkëputet nga PD do jetë shumë më shumë se 104 mijë. Këtë e tregojnë sondazhet që do publikohen shumë shpejt. Shumë shpejt do të prezantojmë partinë, do të çojmë në Gjykatë regjistrimin e subjektit të ri politik dhe do tentojmë që të hyjmë në zgjedhje me një koalicion. Jemi një grup kolegësh të cilët kemi vendosur të vazhdojmë atë rrugë që kemi nisur për një parti të djathtë, të qartë, që nuk fluturon me kokën në erë, por duam të dalim me alternativë të djathtë opozitare./vizionplus.tv