Punonjësit shqiptarë që jetojnë pranë kufirit dhe shkojnë për punë në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe e kundërta, do të jenë në lupën e inspektoratit të punës për elementë të informalitetit dhe zbatimit të kontratës së punës. Inspektorati i Punës në Shqipëri, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut do të kryejnë inspektime të përbashkëta në biznese për këtë kategori punonjësish, për të identifikuar nëse janë të deklaruar si punëtorë dhe nëse punojnë konform rregullave.
“Ky memorandum është finalizimi i i përpjekjeve që kemi bërë bashkë me kolegët e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e migracionit. Flasim për lëvizje të lirë, por ajo duhet të jetë brenda rregullave dhe këtu përfshihet punë e denjë, punë e sigurt dhe fenomeni i migracionit në rajonin tonë është i gjerë. Inspektoratet janë të angazhuara të garantojnë që kjo lëvizje e lirë të bëhet në formën e saj më të mirë. Ky interes është i ndërsjelltë dhe në zonat kufitare është më prezente. Ka qytetarë të vendit tonë që çdo ditë punojnë në Mal të Zi dhe kthehen në darkë në shtëpi dhe anasjelltas. Është një fenomen që jo shpesh herë është brenda rregullave dhe në kohët që ne jetojmë, shkëmbimi i infiormacionit në kohë reale bëhet i rëndësishëm për të dhënë vlerë dhe dinjitet për punën e çdo qytetari për të punuar brenda rregullave”, thotë Eljo Muçaj, kryeinspektor në Inspektoratin e Punës.
Kjo lëvizje e lirë e fuqisë punëtore në vendet fqinje konform rregullave, sipas autoriteteve, përgatit Shqipërinë për integrimin në BE.
“Punonjësit nuk duhet të bëjnë kompromis me ligjshmërinë çdo punëtor të jetë i ndërgjegjshëm për benefeitetqë ka nëse punon rregullisht. E kemi këtë marrëveshje edhe me Kosovën. Bëjmë inspektime të bashkërenduara, një kompani që operon edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, të inspektohet paralelisht dhe të jepet informacion në kohë reale nëse gjenden shkelje për formalizimin e punës dhe kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ne duam të zhvillojmë dhe zbatojmë ato praktika të mira që janë në BE, që lidhen me lëvizjen e lirë. Nëse ne e zbatojmë këtë në një shkallë më të vogël, është një ushtrim i mirë për tu bërë gati për BE, ku lëvizja e lirë e punëtorëve është një realitet i përditshëm dhe është i realizuar më së miri. Angazhimi është që të garantohet punë e denjë në të dy anët e kufirit”, tha Muçaj.
Sipas Inspektoratit të Punës, interesi i punëtorëve për të lëvizur në vendet e kufirit për punë gjatë ditës është veçanërisht i shtuar gjatë sezonit turistik./vizionplus.tv





