Nënkryetari i LSI, Luan Rama reagoi pas përplasjes që patën në Kuvend deputetja demokrate, Rudina Hajdari dhe kryeministri Edi Rama. Sipas Ramës, Hajdari e vuri me “shpatulla pas murit” kryeministrin sepse i renditi disa të vërteta.

 

“Nëse Rudina Hajdari vetëm sa ia tha në sy e para gjithë Kuvendit, nuk bëri asgjë tjetër, por e dominoi dhe edhe e nervozoi Edi Ramën deri në atë shkallë sa na u shfaq ai që është, edhe pse me më shumë se 150 fjalë në leksikun e vet, për të cilin bëri kujdes të dëshmojë se e ka më të pasur nga ata që merr për sistem referimi! I gjendur “lakuriq” përballë të vërtetash alarmante nga njëra anë dhe një tufe deputetësh mjeranë që të bëjnë të ndjesh dhembje për ta kur i sheh të duartroksin edhe kur i fyejnë e poshtërojnë, Edi Rama është sot më shumë se çdo herë tjetër shenja e parë e të keqes, prej të cilës Shqipëria duhet të shpëtojë një orë e më parë!”

 

Më tutje, Luan Rama shtoi në “Facebook” se kreu i qeverisë  tregoi qartë hipokrizinë që e karakterizon, ndërsa debatin me Rudina Hajdarin e quajti shfaqje mediokre.

 

“Në një rrekje të mundimshme e përmes një retorike tërësisht të përçartur e aspak etike, qoftë edhe në caqet e skrupujve të njerëzve pa shumë pretendime intelektuale, kryeministri Edi Rama, duke u pranëvënë e përqasur jo rastësisht e pa qëllim me modestinë e Rudina Hajdarit përmes ballafaqimit e debatit që zhvilloi me të në sallën e Kuvendit, në fakt edhe pse synoi të shfaqte “epërsinë” e vet jo vetëm fizike dhe “intelektuale”, ia doli të na japë vetëm përmasën reale të hipokrizisë, e cila në shfaqjen e rradhës ishte mjerisht edhe mediokre!”

 

Rudina Hajdari gjatë seancës parlamentare e akuzoi Edi Ramën se sillet sikur nuk jeton në Shqipëri. Ajo mori shkas nga një kërkesë e kryeministrit për sekuestrimin ose shembjen e kateve pa leje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *