LSI: Burgosja e protestuesve nuk na tremb, Rama do largohet

Lëvizja Socialiste për Integrim, ka shpërndarë një njoftim për shtyp ku solidarizohet me qytetarët protestues të cilët sipas kësaj force politike, mbahen padrejtësisht në burg.
Sipas LSI, mbajtja në burg e protestuesve të opozitës, është një akt tjetër më shumë që dëshmon dhunën shtetërore të komanduar nga Edi Rama, i cili i trembur nga frika e revoltës popullore, po përdor edhe drejtësinë njësoj siç bën me policinë, me shpresë se do të mund të ndalë uraganin e protestës qytetare!
“Nga ana tjetër, është dëshmia e rradhës e vendimeve të një drejtësie politike, që e vënë e gjitha nën thundrën e një pushteti të ngritur mbi krimin elektoral dhe që mbahet ende prej krimit të organizuar, po i shërben Edi Ramës me shpresë se ky do të mund ta shpëtojë vetingut!”
LSI shton se as bombat me gazlotsjellës e paralizues, ashtu sikundër as dhuna e shkopinjëve të gomës se policëve shërbëtorë të krimit e jo të ligjit, edhe vendimet politike të gjykatësve shërbëtorë të krimit e korrupsionit, nuk e trembin dhe as e ndalin dot shpirtin e revoltës dhe vendosmërinë e protestës qytetare.
Sipas partisë së dytë më të madhe ne opozitë, protesta do të permbushë misionin e vet me largimin nga pushteti të Kryeministrit peng të krimit, që për interesat e pushtetit të vet, po mban peng të ardhmen europiane të Shqipërisë!




