Subscribe

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se vendimi për pranimin e kërkesës së Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar nga ana e gjyqtarëve është një skandal.

 

Në një dalje për mediat, pak minuta pas ministres Gjonaj, Lleshaj tha se trupa e gjyqtarëve ashtu si dhe klientët e ka vendin pas hekurave.

 

“48 orët e fundit kanë qenë orë të përjetimeve të rënda për familjarët e oficerëve të rënë në krye të detyrës më 7 gusht të vitit 2009, për Policinë e Shtetit dhe për gjithë qytetarët shqiptarë, si pasojë e një vendimi kriminal të disa gjyqtarëve që meritojnë plotësisht t’u bashkohen prapa hekurave klientëve të tyre. Kam pritur këto 48 orë sa të sigurohesha që ky krim i njerëzve me imunitet ligjor dhe kushtetues të mos kishte si përgjigje vetëm një deklaratë publike, por edhe një reagim të fortë e të vendosur si dhe një proces të qartë ligjor.”

 

Lleshaj deklaroi se nuk do të ketë paqe për Policinë e Shetit deri sa vendimi të zhbëhet nga Gjykata e Lartë.

 

“Edhe pse nuk mund të jap detaje, deklaroj se Operacioni “Forca e Ligjit” është vënë në veprim të plotë për të adresuar me të gjithë forcën e së drejtës atentatin e qartë, brutal dhe skandaloz që i është bërë drejtësisë në vendin tonë, sakrificave të panumërta dhe gjakut të derdhur nga qindra punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar përgjatë tri dekadave të fundit. Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por as edhe tek unë si Ministër i Brendshëm, derisa ky vendim, jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por edhe derisa autorët e këtij akti të pashembullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të PSH të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë. Personat me profil të lartë kriminal, në shumicën e tyre, janë sot prapa hekurave, si rezultat i vullnetit të kësaj shumice qeverisëse për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe i një policie të reformuar dhe të motivuar për të imponuar fuqinë e ligjit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj zbatuese.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *