E martë, 15 Shtator 2026 Film TV deri në 22:30 Në vijim ora 22:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Lleshaj takon Sobotka: “Forca e Ligjit”, do të vijojë me forcë e ritëm

Ilustrim · Vizion Plus

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është takuar këtë të martë me  Presidentin e Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgang Sobotka, ku temë e bisedës ka qenë  thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, me fokus të veçantë përmbushjen e kushteve prej Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE-së.

 

Ministri Lleshaj u shpreh se procesi i integrimit për Qeverinë shqiptare mbetet qëllim kombëtar.  Duke u ndaluar tek reformat e realizuara, Sobotka theksoi se Vettingu në sistemin e drejtësisë është një pikë kyçe në këtë proces, dhe në këtë kontekst, vlerësoi dhe inkurajoi përpjekjet e Shqipërisë për të vijuar më tej.

 

Nga ana tjetër presidenti Sobotka tha se lufta kundër krimit të organizuar, jo më kot është një pikë e rëndësishme në kërkesat e BE-së, duke nënvizuar se rezultatet do të bindin edhe vendet ende skeptike. Ai deklaroi se Austria mbetet një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë, e këtu veçoi jo vetëm marrëdhëniet bilaterale, por edhe në një kontekst më të gjerë rajonal.

 

Ministri i Brendshëm konfirmoi se Vetting-u në drejtësi, do të pasohet nga Vetting-u në Policinë e Shtetit, duke shtuar se nderi dhe integriteti i punonjësit të Policisë janë themelore për të patur një trupë policore profesionale dhe të shëndetshme.

 

Gjithashtu në fjalën e tij Ministri konfirmoi bashkëbiseduesit se Task Forca Speciale, në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, si një punë e nisur nga ministri paraardhës, do të vijojë më me forcë e ritëm, duke përfshirë gjithë strukturat dhe agjencitë ligj zbatuese.

 

Redaksia Web
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh