Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, nga Roma, ka dhënë detaje në lidhje me shpëtimin e 11-vjeçarit, Alvin Berisha.

 

Duke shprehur falenderime për të gjithë aktorët që dhanë kontributin e tyre në këtë operacion, Lleshaj tha ajo u realizua me sukses falë bashkëpunimit diplomatik të dy vendeve si dhe angazhimit personal të dy kryeministrave.

 

“Gjithçka erdhi pas takimit të dy kryeministrave Conte e Rama në Romë, operacioni u ndoq nga ata të dy drejtpërdrejt. Aspekti diplomatik përfshiu dy ambasadat në Romë dhe ambasadën italiane në Bejrut. Ka pasur një aspekt të rëndësishëm policor ku janë angazhuar policitë e dy vendeve dhe së fundmi por jo nga rëndësia ka qenë aspekti humanitar ku janë angazhuar Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e kuqe. Nuk dua të hyj në detaje të operacionit por kam ardhur për të shprehur mirënjohjen e qeverisë shqiptarë për të gjithë aktorët e përfshirë. Së pari, për autoritetet policore të Italisë e Shqipërisë, për presidentin e Kryqit të Kuq italian e Ndërkombëtar dhe presidentit të Gjysmëhënës së Kuqe Siriane. Po ashtu dua të përshëndes autoritetet diplomatike që u përfshinë në këtë operacion. Ishin autoritetet libaneze që mbështetën me gjithë kapacitetet e tyre operacionin në terren.”

 

Lleshaj theksoi më tej se operacioni po përdoret politikisht për të dhënë mesazhe të mëdha. Për Lleshajn, rasti Alvin Berishës është një nga ato rastet që duhet të tregojë se terrorizmi dhe ekstremizmi nuk duhet të kenë vend në shoqëritë tona.

 

“Rasti ka marrë një vëmendje të madhe dhe natyrisht lind pyetja nëse po përdoret politikisht. Dhe unë them po! Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme që duhet të vlejnë si eksperiencë pas këtij operacioni. Alvin Berisha është një nga ato rastet që duhet të na tregojë se terrorizmi, ekstremizmi nuk duhet të ketë vend në shoqëritë tona”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *