Me 75 vota pro, Kuvendi i hapi rrugën SPAK për arrestimin e Sali Berishës, i cili akuzohet për korrupsion pavin në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.
Mes tensioneve dhe kaosit në sallë, seanca plenare u mbyll brenda pak minutash. Ndonëse ishte i pranishëm në sallë dhe iu kërkua që të flasë, Berisha refuzoi, ndërsa me sloganin “o sot, o kurrë” demokratët vijojnë protestat.
Lexo edhe :
Related Posts
10:20-Berisha i bashkohet protestës
Pas votimit në Kuvend dhe mbylljes së seancës, Berisha i është bashkuar protestës, ku edhe ka mbajtur fjalim. Ai ka thënë se vendimi do të sjellë mobilizim të lartë të opozitës. “Krimi i përfaqësuar nga Rama, Balla, deputetë e qeveritarë kriminelë menduan se do shpëtojnë duke hequr imunitetin Sali Berishës dhe autorizuar bandat e tyre për arrestimin tij. Miqtë e mi, kjo është një përpjekje që dëshmon tmerrin që kanë ata sot nga ju, tmerrin që kanë nga opozita e vërtetë. Tmerrin që përjetojnë sepse dëshmuan me sipërmarrjen e tyre më kriminale në demokraci, krijimit të opozitës fasadë dhe realizimit të ëndrrës së Ramës për një narko shtet pa opozitë. Por, siç tregoi historia e këtyre dy viteve, opozita rezistoi, u ngrit mbi të gjitha pushtetet e krimit në Shqipëri, mbi të gjithë agresionin e mafias ndërkombëtare”, tha Berisha
10:10-Mbyllet seanca
Mes tymit dhe kaosit, seanca plenare e kësaj të enjte u mbyll brenda 10 minutash.
10:05-Votohet heqja e imunitetit të Berishës
Me 75 vota pro, Sali Berishës iu hoq imuniteti, duke i hapur rrugën SPAK për arrestimin e tij. Ishin vetëm votat e mazhorancës ato që vulosën fatin e ish kryeministrit, ndërsa opozita e drejtuar nga Lulzim Basha nuk ishin të pranishëm në seancë. Berishës, ndonëse iu dha fjala refuzoi të flasë.
10:02-Nis seanca plenare
Mes tensioneve dhe kaosit, nisi senaca plenare, ku kryeparlamentarja Lindita Nikolla nisi leximin e rendit të ditës.
09:57-Rama mbërrin në Kuvend
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kuvend, ku mori pjesë në votimin për Berishën.
09:49-Berisha futet live në Facebook
Ndërkohë që jashtë protestohej, ish kryeministri Berisha që ndodhej brenda sallën së Kuvendit ësht futur live në Facebook, ku ka akuzuar mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama.
09:37-Opozita hyn në sallën e Kuvendit
Opozita, pas përplasjeve, ka arritur të hyjë në ambientet e brendshme të Kuvendit. Flamur Noka ka marrë karriget ku ulen deputetët e mazhorancës dhe i ka vendosur në foltore.
09:20-Përplasja e deputetëve me Gardën
Deputetët e opozitës dhe Sali Berisha çanë kordonin e policisë që ishte vendosur para Kuvendit, duke tentuar të hyjnë brenda seancës plenare. Deputetët u përplasën me Gardën, teksa këta të fundit tentuan ti ndalojnë për të hyrë brenda.
09:15-Deputeti Sula me “mesazh” në protestë
Deputeti Dashnor Sula kishte zgjedhur një formë të veçantë për të protestuar. Me një përparëse të bardhë, ku shkruhej “Sterilizum”, me një tufë me presh dhe një tabelë ku shkruhej AZHBR, Sula dha mesazhet e koduara, duke simbolizuar hetimet për koncensionin e sterilizimit dhe ndërprerjen e fondeve nga AZHBR për bujqësinë.
08:44-Protestuesit grumbullohen para Kuvendit
Në orën 08:44 minuta demokratët filluan të grupohen para Kuvendit, për t’iu përgjigjur thirrjes së Sali Berishës për mosbindje civile. Me pankarta nëpër duar dhe flamurin e PD, demokratëtu grumbulluan qetësisht.
08:30-Policia “blindon” Kuvendin
Policia e Shtetit “blindoi” që në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte Kuvendin, për të ruajtur rendin dhe sigurinë. Rreth 800 efektivë ishin në terren, ndërsa edhe RENEA ishte në gatishmëri./vizionplus.tv










