Për Zv.Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer, listat e hartuara nga partitë politike për garën e 25 prillit mund të ishin edhe më mirë.
Gjatë një takimi virtual që pati me gazetarët, Palmer deklaroi se zgjedhjet parlamentare duhet të jenë të suksesshme. Ai kërkoi standarde të larta në këtë proces elektoral.
“Është e rëndësishme që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të suksesshme, jo në kuptimin e fitores së një partie të caktuar apo një kandidati të caktuar, por të suksesshme institucionalisht, nga pikëpamja e procesit dhe strukturalisht, në mënyrë që të shihen si të drejta dhe transparente dhe të ofrojnë një rezultat që pasqyron vullnetin e atyre që dolën për të votuar dhe ushtruar të drejtat e tyre demokratike. Listat janë larg të qenit të përsosura. Ka ende shumë punë për të bërë. Dhe mendoj se Ambasadorja Kim dhe ambasada kanë qenë shumë të qartë për të identifikuar ato fusha ku ne vazhdojmë të kemi shqetësime. Mendoj se populli shqiptar ka të drejtën të presë nga partitë politike dhe nga udhëheqësia politike që do t’iu paraqiten mundësi zgjedhjeje, mundësi të mira zgjedhjeje që mund t’i bëjnë kur të shkojnë në kutinë e votimit. Dhe është edhe përgjegjësia e klasës politike që të jetë në nivelin e këtij detyrimi. Dhe të sigurojë që kur njerëzit shkojnë të votojnë, të kenë listat e kandidatëve përpara tyre dhe që ata janë njerëz për të cilët mund të jenë krenarë.”
Theksin zyrtari i lartë amerikan e vuri edhe te reforma në drejtësi. Duke kërkuar dënime dhe rezultate konkrete, Palmer vlerësoi se SPAK po bën përparim. Sipas tij, mbështetja e SHBA për SPAK nuk do të mungojë me qëllim që kërkojë llogari ndaj atyre që shkelin ligjin.