Listat, Kolegji Zgjedhor shtyn vendimin
Kolegji Zgjedhor shtyn për më 22 maj shqyrtimin e ankimimit të Partisë Aleanca Popullore, e cila kërkoi të shpallen të pavlefshme listat e kandidatëve për deputetë të regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit.
Kolegji vendosi të thërrasë 15 partitë që janë regjistruar tashmë, pasi i pranishëm në sallë ishte vetëm përfaqësuesi i Partisë Socialiste. Në fund të vendimit, kreu i partisë Aleanca Popullore Artur Dojaka, theksoi se nuk do të tërhiqet për ankimimin pranë Kolegjit Zgjedhor, pavarësisht arritjes së marrëveshjes Rama – Basha.
“Listat u dorëzuan jashtë afateve- Është shumë i qartë, është thjeshtë një llogari matematike, mund tu citoj dhe shkeljen ligjore që ka ndodhur, është neni 67 i kodit zgjedhor. Nuk mund të lë pa përshëndetur marrëveshjen e mbrëmshme mes kreut të PS dhe atij të PD, gjë e cila i hap rrugë gjithë procesit. Por në fund të fundit ne pas 27 viteve tranzicion ne duhet të kuptojmë se procesi nuk është thjesht marrëveshje e disave në veçanti por është një proces ligjor”.
Ndërkohë, në një tjetër seancë, 2 ore më pas, Kolegji Zgjedhor pranoi kërkesën e Partisë Agrare Ambientaliste për tërheqjen e ankimimit për listat. Në seancën gjyqësore, PAA u përfaqësua nga Thoma Miço, ndërsa relator i çështjes ishte Gjin Gjoni.
“Pas arritjes së marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës dhe ajo çka është më e rëndësishmja ku afati 18 qershor në marrëveshjen e tyre nuk do të jetë si datë e mundshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare por do jetë një datë tjetër. Do riciklohen afatet e depozitimit dhe regjistrimit të partive, listat shumëemërore, në këtë kuptim nuk përbënte sens që të vazhdonim gjykimin në Kolegjin Zgjedhor. Bëmë kërkesën që gjeti miratimin dhe i hapi rrugën marrëveshjes të vazhdojë të implementohet dhe përfundojë sot me gjithë hollësitë e veta në mënyrë që të gjithë partitë të marrin pjesë në zgjedhje.”
Nëse Kolegji Zgjedhor shpall të pavlefshme listat e kandidatëve për deputetë, atëherë data e zgjedhjeve shtyhet dhe procesi hapet nga fillimi.




