Autoritetet franceze më 8 dhjetor kanë liruar një burrë saudit të cilin e arrestuan gabimisht një ditë më parë nën dyshimet se ishte i përfshirë në vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi, në Stamboll para tre vjetësh.

 

Khaled al-Otaibi u arrestua nga policia kufitare franceze në aeroportin e Parisit, Charles-de-Gaulle më 7 dhjetor para se të udhëtonte në Riad. Ai u vendos në paraburgim dhe pritej të paraqitej në gjykatë më 8 dhjetor.

Sidoqoftë, al-Otaibi është liruar sepse autoritetet franceze kuptuan që e kishin ngatërruar personin pas njoftimit të Ambasadës saudite në Paris, e cila njoftoi se “personi i arrestuar nuk kishte fare të bënte me rastin e Khashoggit”.

 

Më pas Prokuroria në Paris po ashtu njoftoi se pas verifikimeve është konstatuar se i arrestuari nuk ishte personi i kërkuar për vrasjen e gazetarit saudit. Khashoggi, kritik i madh i Qeverisë saudite i cili jetonte në SHBA ishte vrarë në tetor të 2018-s pasi hyri në Konsullatën saudite në Stamboll për të rregulluar disa dokumente personale në mënyrë që të martohej.

Sipas zyrtarëve turq, një njësi speciale saudite ishte duke e pritur për ta vrarë. Trupi i tij asnjëherë nuk u gjet.

 

Vrasja kishte shkaktuar zemërim global dhe dëmtoi dukshëm imazhin e Arabisë Saudite dhe sundimtarit të saj Princit Muhammad bin Salman.

Deri më tani tetë persona janë dënuar për vrasjen e gazetarit, nga Gjykatata saudite në vitin 2019. Pesë prej tyre u dënuan me vdekje por më pas dënimet u ndryshuan në 20 vjet burgim, derisa tre të tjerë u dënuan me nga 7 deri në 10 vjet burgim.

 

Edhe në Turqi filloi gjykimi në mungesë i 20 personave nga Arabia Saudite për këtë vrasje. 6 persona më pas u liruan./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published.