Subscribe

Në një kohë që vetingu në radhët e policisë të parin që do të filtronte do te ishte drejtori i përgjithshëm Haki Çako, Këshilli i Ministrave e liroi atë nga detyra me propozim të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.

 

Nga kjo e hënë në vend të tij u komandua zv/drejtori i përgjithshëm Rebani Jaupaj. Ndonëse për të flitej prej kohësh në korridoret e policisë së shtetit zyrtarizimi erdhi nëpërmjet një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Brendshme.

 

Edhe pse ish-drejtori i përgjithshëm u vlerësua nga ministri i brendshëm, Fatmir Xhafaj shprehet se objektivat e policisë në fushën e rendit dhe të sigurisë kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune.

 

Për këtë sipas ministrit, është i domosdoshëm një lidership i ri, me energji të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit.

 

Puna e kësaj të fundit thuhet në njoftimin për shtyp domosdoshmërish duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, më mirë kërkesave dhe pritshmërive të larta të publikut, por dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit.

 

Haki Cako u emërua drejtor i përgjithshëm i policisë në prill të 2015-ës duke zëvendësuar Artan Didin i cili dha dorëheqjen pas skandalit të dosjes “ Frroku ” në lidhje me fshehjen e të dhënave nga zyra e Interpolit.

 

Cako do të mbahet mend si drejtori i parë i Policisë së Shtetit në përpjekjet e uniformave blu në luftën kundër kanabisit, por edhe skandalit të IMSI Catcher.

 

Ilir Meta dhe Sali Berisha i vunë nofkën “Haki droga” pasi sipas tyre ai lejoi kanabizimin e vendit, por për tre vite radhazi ish-drejtori i përgjithshëm arriti të mbajë postin.

 

Gjatë mandatit të tij, Prokuroria nisi dhe një hetim për skandalin e përgjimeve ku e akuzoi drejtpërdrejt si të përfshirë. Pezullimi i Haki Cakos nuk zgjati shumë dhe Gjykata e Apelit e nxori të pafajshëm, ndërsa vendi i drejtorit të përgjithshëm mbeti i pazevendësuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *