Policia ka vijuar kontrollet në vijën bregdetare në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje.
Gjatë kontrolleve në plazhin e Golemit, Kavajë, shërbimet e policisë kanë hequr dhe sekuestruar 116 çadra dhe 232 shezlongë të vendosur në mënyrë të paligjshme.
Në lidhje me rastin, janë proceduar penalisht tre persona: A. B., 54 vjeç, D. K., 38 vjeç dhe F. D., 24 vjeç, të tre banues në Kavajë. Materialet i janë referuar Prokurorisë, ku ndaj tyre ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Policia bën të ditur se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare për të garantuar lirimin e hapësirave publike dhe respektimin e rregullave gjatë sezonit turistik.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe subjekteve që të mos zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, pasi çdo shkelje do të pasohet me masa administrative dhe penale sipas ligjit.
/vizionplus.tv





