Lihet në burg Xhelal Rraja, bëri plane për të vrarë ish-deputetin e PS, Arben Ndoka
Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Xhelal Rrajën, i cili u arrestua më 10 korrik në kuadër të operacionit Revanshi.
Rraja është pjesë e bandave kriminale që kërkonin të vrisnin ish-deputetin e PS Arben Ndoka.
Ai është njëkohësisht vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Sipas prokurorisë, Xhelal Rraja dhe disa të tjerë kishin planifikuar ekzekutimin e Arben Ndokës, kur ky i fundit të shkonte në Tiranë për një kafe ngushëllimi në shtëpinë e një gjyqtari.
Por ish-deputeti socialist fatmirësisht i shpëtoi atentatit pasi nuk shkoi për ngushëllim.
Rraja rezulton të ketë bashkëpunuar me grupet e Durim Bamit dhe Endrit Dokles që tentuan dia herë të vrisnin Ndokën.
Po sipas dosjes Revanshi, Arben Ndoka nga ana tjetër ishte përpjekur disa herë që të vriste Durim Bamin, pasi kishte dyshime se ky i fundit ishte përfshirë në ekzekutimin e vëllait të tij Aleksandër Ndoka.
Për këtë plan, ai ishte lidhur me Ervis Martinajn, Emiljano Shullazin dhe pjesëtarë të grupit kriminal të Avdylajve, plan i cili gjithashtu dështoi.
Nga ana tjetër Durim Bami bëri aleancë me Endrin Doklen dhe Rrajat për të vrarë Arben Ndokën.
Sipas SPAK, Endrit Dokle kishte marrë përsipër të siguronte informacionin për lëvizjet e ish deputetit Ndoka, Durim Bami dhe Xhelal Rraja ishin organizatorë, ndërsa Marklen Haka kishte marrë përsipër të gjente vrasësit me pagesë.
Operacioni Revanshi goditi në total 7 grupe kriminale./vizionplus.tv




