I etiketuar si i forti i rrugës “ Myslym Shyri ”, Gjergj Cukali, do të qëndrojë pas hekurave të qelisë deri në përfundim të hetimeve për vrasjen e ish policit Arben Bilali.
Gjykata e Tiranës vendosi për 40-vjeçarin masën e sigurisë arrest me burg pa afat ndërsa Cukali përmes avokatëve mbrojtjes mbajti qëndrim mohues për përfshirjen e tij në vrasjen e 30 janarit në zonën e Selitës në kryeqytet.
Prova kryesore që prokurori paraqiti në këtë seancë ishte profili i ADN-së që është përfituar nga provat që policia gjeti në automjetin me të cilin u krye vrasja.
Hetimet nuk kanë përcaktuar ende nëse Cukali ka qenë personi që ka shkrepur armën ndërsa edhe motivet mbeten të paqarta.
Fillimisht policia po hetonte pistën e hakmarrjes nisur nga e kaluara e viktimës ndërsa me arrestimin e Cukalit po kalohen në sitë edhe pista të tjera, si ajo e pazareve të drogës.
Për vrasjen e 50-vjeçarit Bilali, në burg është edhe Arben Tirana me akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorët duke i siguruar targat e vjedhura të automjetit që u përdor në krim.
Në të kaluarën drejtësia është treguar bujare me Cukalin pasi ndonëse i arrestuar për rrëmbim personi, trafik droge, armëmbajtje pa leje thyerje të arrestit në shtëpi, ia ka hedhur me vetëm pak kohë burgim.





