Një ditë pasi u ekstradua nga Franca për disa krime të kryera e të mbetura në tentativë, Gjykata e Posaçme la në burg pa afat Behar Bajrin.
Ai u arrestua më 4 shtator në një lokal në një lagje të Strasbourg-ut, ku jetonte bashkë me familjen, pasi gjykata, me kërkesë të SPAK, kishte caktuar ndaj tij në korrik masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Prokuroria e akuzon, Bajrin, i cili në dosjen hetimore del me mbiemrin Brajoviq, për pesë vepra të rënda penale, atë të vrasjes me paramendim të Gjin Boriçit, grup e organizatë të strukturuar kriminale. Po ashtu sipas Prokurorisë së Posaçme, ai dyshohet se ka siguruar kushtet për vrasjen e tre personave, Kleanthi Musabelli, Dorian Duli dhe Ibrahim Lici.
Behar Bajri është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe u vendos në shënjestër pas çkodimit të dy aplikacioneve Sky- Ecc dhe Encho- Chat, i cili u finalizua me operacionin e koduar “Metamorfoza”.
Hetimet që përfunduan me lëshimin e 15 urdhër-arresteve kishin nisur që në vitin 2019 pasi autoritetet holandeze, belge, e ato franceze të ndihmuara edhe nga Europol mundën të thyejnë aplikacionet e mësipërme.
Mes urdhër- arresteve të lëshuara nga SPAK, përfshiheshin Ervis Martinaj, i shpallur i zhdukur, biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish- shefi i operacionales, Oltian Bistri, prokurori i Kukësit Xhevahir Lita e dëshmitari i drejtësisë, Nuredin Dumani.