Për presidentin Ilir Meta, ndryshimet e propozuara nga mazhoranca në ligjin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të miratohen. Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, ai deklaroi se me këtë nismë mazhoranca po tenton të hedhë në erë drejtësinë dhe të kapë Gjykatën Kushtetuese.

 

“Është për të ardhur keq që merren nisma të tilla. Është kokëfortësi që nuk na ndihmon të rrisim besueshmërinë brenda dhe jashtë vendit se po zbatojmë në mënyrë të përgjegjshme reformën në drejtësi. Të bësh ligj mbi Kushtetutën është përpjekje për të shndërruar Gjykatën Kushtetuese në një organizatë partie dhe për të hedhur në erë të gjithë besueshmërinë e drejtësisë. Presidenti ka bërë më të mirën që Shqipëria të mos ngelet kurrë pa Gjykatë Kushtetuese dhe të mos cenohet puna në këtë gjykatë. Kushtetuta e ka të shkruar pikë më pikë të saktë si veprohet dhe presidenti ka vepruar drejt me ligjet.Është përpjekje e mazhorancës për të kapur dhe këtë institucion të fundit të pakapur prej saj.”

 

Deputetët ndërhynë në ligjin e Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar më përsëritjen e rastit të Arta Vorpsit, të cilën presidenti nuk e thirri për të bërë betimin.

 

Sipas këtij ndryshimi, Meta ka vetëm 10 ditë kohë për të zhvilluar ceremoninë e betimit për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, në të kundërt ai bën betimin me shkrim, njofton institucionin e kreut të shtetit dhe nis zyrtarisht punë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *