Subscribe

Jo vetëm bizneset e lidhura me ndërmarrje, të cilave prej kohësh iu është shuar aftësia paguese kanë qenë në një luftë të humbur me këto kompani, por edhe vetë industria bankare ka shpenzuar vite të tëra për të kthyer mbrapsht kreditë dhe nuk ia ka arritur dot. Që të falimentojë një biznes në Shqipëri duheshin më shumë se katër vjet, gjë e cila ka frikësuar të huajt të vijnë e të investojnë këtu, por nga ana tjetër ka rritur dhe riskun që llogaritin bankat në momentin që miratojnë një kredi. Sot janë 35 korporata të cilat kanë gjysëm miliardi dollarë kredi të këqija dhe bankat nuk kanë arritur t’i zgjidhin. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, thotë se ligji i ri për falimentin do t’i japë fund kësaj odiseje të gjatë në gjykata.

Kemi 25 vjet që flasim për falimentin, kemi nxjerrë ligje, kemi bërë udhëzime, por koha vërtetoi që asnjë prej tyre nuk e zgjidhte çështjen, nuk e çonte drejt mbylljes së sigurt ligjore pa pretendime dhe sa vjen dhe u shtua domosdoshmëria e një ligji të ri. Ligji i falimentit, për shkak se e merr biznesin dhe e çon në faliment, kur ai ka qenë klient i bankës prek pa diskutim industrinë bankare. Më e mira që është bërë, është fakti se nuk është një arnim i ligjit të vjetër, por një ligj i plotë me një tjetër frymë, me standarde të reja dhe ne e vlerësojmë më shumë sepse do të ndihmojë në bërjen e klimës së biznesit.”

Bankat thonë se nuk është qëllimi i tyre në vetvete që të falimentojnë një biznes, përkundrazi ato kanë interes që të ristrukturojnë kredinë nëse i mundëson kthimin e parave, por me ligjin e ri, këtë nuk e vendos më as debitori dhe as kreditori, por administratori që miraton gjykata.

“Bankat nuk duan që me patjetër biznesi të falimentojë me qënë se nuk shlyen dot kredinë, nuk është ky qëllimi. Banka është një biznes për vete dhe sa më shumë biznese të gjalla dhe të shëndosha të ketë aq më mirë është për bankën se aq më shumë treg ka. Fakti që disa biznese mund të shkojnë në faliment i jep mundësi bankës të rikuperojë sadopak nga ajo kredi e humbur. Në këtë mënyrë pastrohet edhe tregu. Ikën një biznes që nuk është i shëndetshëm dhe futet një tjetër në këtë fushë që gjallërohet.”

Ligji për herë të parë jep penalizime për organet drejtuese të shoqërisë që falimenton dhe bën përgjegjës ata për mungesën e aftësisë paguese të shoqërisë. Me këtë nen synohet t’i jepet fund skemave të mashtrimit, ku shumë drejtues kompanish merrnin paratë dhe e çonin atë në faliment. Organet hetuese, menjëherë pas shpalljes së falimentit nisin verifikimin e pasurisë së drejtorëve dhe anëtarëve të bordit të firmës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *