Kryeministri Edi Rama foli këtë të martë lirinë e shtypit në vend, në një tryeze që kishte në fokus Forumin e Medias për Europën Juglindore. Kreu i qeverisë e nisi fjalën me solidaritetin e tij ndaj çdo gazetari të kërcënuar e sulmuar, si një akt i papranueshëm ndaj fjalës së lirë.

 

“Për shumë arsye, gazetaria është bërë një përzierje shumë e madhe tanimë e së vërtetës dhe gënjeshtrës, është një fakt. Sigurisht çdo sulm, çdo kërcënim ndaj gazetarëve, nuk ka asnjë diskutim që është diçka e neveritshme, por sa sulme bëjnë gazetarët çdo ditë ndaj njerëzve. E di që politikanët nuk janë njerëz, por megjithatë, ka edhe ca pjesë njeriu në çdo politikan, pra, jo shumë, por një dozë”, tha ai.

 

Solidariteti ia la radhën kritikave, të cilat nuk kanë munguar herë pas here nga kreu i shtetit. Edhe në këtë tryezë, Rama theksoi se shpesh herë në emër të gazetarisë abuzohet dhe dizinformohet.

 

“Politkanët kanë familje, fëmijë dhe unë jam plotësisht dakord dhe qëndroj në solidaritet me çdo gazetar që sulmohet dhe kërcënohet. Pyes veten çdo herë, sa shpesh qëllon që këto organizata gazetarësh të çohen kundër vetes, kundër kategorisë së tyre, individëve në grupin e tyre, të cilët në emër të të qenurit gazetar, i lejojnë vetes të bëjnë atë që kohë më parë ishte absolutisht jashtë çdo lloj përfytyrimi”, tha ai.

 

Projektligji për lajmet e rreme që ngjalli mjaft polemika dhe u konsiderua si censurë, sipas Ramës mbetet ende një masë do duhej të ishte marrë dhe e ndjek si hije. Megjithatë polemikat e krijuara, detyruan qeverinë të hiqte dorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *