Ligji për aftësinë e kufizuar pritet të ndryshojë përmes një reforme të re propozuar nga këshilli i ministrave. Por grupet e interesit janë shprehur kundër duke kërkuar rrëzimin e ndryshimeve pasi ato penalizohen në shumë aspekte.
Besnik Murataj, prej 22 vitesh pas një aksidenti automobilistik mundet të lëvizë vetëm përmes karrocës së invalidit. Vështirësitë që nga ai moment, ende i freskët në memorien e tij, kanë qenë të shumta.
Pas shumë peripecive dhe mjekimit të specializuar jashtë ai rrëfen se ndryshimet që propozon reforma nuk sjellin asnjë lehtësi për këtë komunitet.
Po të njëjtin problem me ndryshimet e hedhura për diskutim has edhe komuniteti i personave të verbër. Konkretisht reforma propozon ulje të tarifës mujore që këta persona marrin prej aftësisë së kufizuar, ndërsa është zgjeruar edhe targeti i njerëzve që përfshihen në skemë. Kjo sipas tyre lë hapësirë për abuzime me fondet.
Jonidi ndjek studimet Master në Fakultetin e Drejtësisë, prej mungesës së shikimit atij i duhen një sërë shërbimesh ekstra për të cilat thotë se janë inekzistente.
Një muaj pas propozimit të reformës ende të pa votuar komunitetet e aftësisë së kufizuar kanë organizuar takime për të kundërshtuar me çdo kusht ndryshimet e bëra nga ministria e shëndetësisë.