Shqipëria pritet të hyjë në një fazë të re zhvillimi për industrinë kinematografike dhe audiovizuale. Brenda vitit 2026, synohet të miratohet një ligj të ri, më i avancuar dhe i përshtatur me realitetin aktual. Kjo pasi ligji ekzistues, i cili ka vite në fuqi, nuk përmbush më nevojat e industrisë audiovizuale.
“Një ligj i ri do të marrë në konsideratë incentivat fiskale, por njëkohësisht do të parashikojë dhe do të artikulojë edhe zhanre të reja që lidhen me audiovizualin, si serialet, lojërat dhe forma të tjera që sot industria i ka tashmë të përfshira. Si çdo proces, ai do të kalojë hapat e tij përpara se të paraqitet në Parlament. Jam i bindur që brenda vitit 2026, Shqipëria do të ketë një ligj të ri, shumë më të mirë për kinematografinë dhe audiovizualin”, u shpreh Jonid Jorgji, drejtor i “Qendra Kombëtare e Kinematografisë”.
Në këtë kuadër u organizua edhe një aktivitet i parë i këtij lloji në Shqipëri, që solli së bashku zëra të rëndësishëm të kinematografisë dhe vendimmarrjes evropiane e ballkanike. Diskutimet u fokusuan jo vetëm në politikat e financimit dhe trajtimin që Europa i bën sektorit audiovizual, por edhe në çështjet gjinore.
“Shqipëria, për të thënë të drejtën, nuk ka një trashëgimi të konsoliduar kulturore dhe strukturore sa i përket përfaqësimit të grave në audiovizual. Institucionet nuk kanë qenë gjithmonë të pajisura me kapacitetet e nevojshme për të adresuar plotësisht çështjet e grave dhe vajzave në këtë sektor. Arsyeja për të cilën po organizojmë këtë konferencë është pikërisht ky shqetësim: për të ndërtuar një vizion të përbashkët se si mund të krijohet një qasje e re ligjore dhe strategjike për gratë dhe vajzat në audiovizual”, deklaroi Sabina Kodra, producente.
Sipas organizatorëve, Shqipëria ka ende shumë për të bërë për fuqizimin e vajzave dhe grave regjisore në kinema dhe në audiovizual. Në këtë drejtim, Kosova u përmend si një shembull pozitiv.
“Kosova është një lloj mrekullie kur bëhet fjalë për zërin e grave dhe vajzave në industrinë audiovizuale, me çmime fantastike ndërkombëtare në mbarë botën. Ne shpesh i referohemi Kosovës, e cila, edhe pse ka sfidat e saj, ka arritur të krijojë një përfaqësim shumë të fuqishëm të grave në kinema. Unë do të doja ta merrnim si shembull mënyrën se si mund të përmirësojmë realitetin tonë”, tha Kodra.
Kjo konferencë ndërkombëtare që synon të formësojë të ardhmen e kinemasë në rajon mblodhi në një tryezë të përbashkët zërat kryesorë nga Shqipëria, Ballkani dhe Franca, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbime institucionale, ndarje përvojash dhe nxitje të bashkëpunimit ndërkufitar.





