Liderët e Bashkimit Evropian u mblodhën në qytetin portugez Porto  për një samit dyditor, për herë të parë këtë vit, për të diskutuar mënyrën se si të zvogëlojnë efektin e pandemisë në bllokun me 27 anëtarë. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian diskutuan edhe propozimin  e Shteteve të Bashkuara për të shpërndarë teknologjinë dhe të dhënat për të prodhuar vaksinat në shumë vende. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen  tha se shkëmbimi  i të dhënave nuk është një zgjidhje e shpejtë.

 

URSULA VON DER LAYEN

PRESIDENTJA E KOMISIONIT EVROPIAN

 

“Ne duhet të jemi të hapur për këtë diskutim, por kur e drejtojmë këtë diskutim duhet të ketë një pamje 360 ​​gradë mbi të pasi ne kemi nevojë për vaksina tani për botën. Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, heqja dorë nga prona intelektuale nuk do të zgjidhë problemin, nuk do të sjellë një dozë të vetme të vaksinës në afat të shkurtër dhe të mesëm. Ne i ftojmë të gjithë ata që përfshihen në debatin e heqjes së të drejtave te vaksinës gjithashtu të bashkohen me ne që të angazhohemi për të eksportuar një pjesë të madhe të vaksinave që prodhohen në atë rajon.”

 

Edhe presidenti francez tha se zgjidhja për të parandaluar përhapjen e pandemisë sa më shpejtë nuk është dhënia e informacioneve, por shpërndarja e vaksinave.

 

EMANUEL MACRON

PRESIDENT FRANCEZ

 

“Cila është çështja tani? Në të vërtetë nuk ka të bëjë me pronën intelektuale; mund t’ia jepni një laboratori që nuk do të dijë ta prodhojë – çështja e parë është dhënia e dozave Shtylla e dytë për të qarkulluar vaksinat, nuk është bllokimi i përbërësve dhe vaksinave. Sot anglo-saksonët po bllokojnë shumë përbërës dhe vaksina. ”

 

Këtë të shtunë liderët e BE-së do ta realizojnë edhe një video-konferencë me kryeministrin indian Narendra Modi, shteti i të cilit është duke u përballur me një valë të fortë  të koronavirusit dhe ka nevojë urgjente për ndihmë ndërkombëtare.

 

BE-ja gjithashtu synon të fitojë përkrahje në Porto për tri pika: shkallë punësimi në të gjithë BE-në të paktën 78 për qind, më pas ofrimin e trajnimeve në vit për 60 për qind të popullsisë si dhe zvogëlimin e numrit të atyre që rrezikohen nga varfëria, apo përjashtimi social.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *