Dëmtimi dramatik i segmentit të rrugës kombëtare Librazhd – Prrenjas, në zonën e Arrave të Dragostunjës, po merr përmasa me pasoja të rënda infrastrukturore dhe socio-ekonomike, duke paralizuar pjesërisht jo vetëm qarkullimin, por edhe jetën e përditshme të një pjese të konsiderueshme të vendit.
“Po vazhdoi rruga kështu janë nja 7-8 familje të rrezikuara. Ne problem kemi fëmijët për shkollë, jemi të izoluar. Do marrim masat të ikim në këmbë”.
“Ne po ikim në Tiranë , nuk ka ndërrim vend makinash, plot dhe me gropa. Po ca të bëjmë s’ke ku të shkosh”.
Kjo arterie strategjike, që lidh kryeqytetin me juglindjen, tashmë është kthyer në një pikë kritike. Prej disa ditësh, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe të gjitha strukturat shtetërore janë në alarm të plotë për të gjetur jo vetëm një zgjidhje emergjente për zhbllokimin e situatës së paprecedentë, por edhe një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Aktualisht po mendohet seriozisht ideja e devijimit të projektit ekzistues. Sipas burimeve të besueshme, shumë shpejt mund të merret një vendim për anulimin e përhershëm të punimeve në segmentin aktual, për shkak se zona ka shfaqur gjatë këtij muaji paqëndrueshmëri të theksuar gjeologjike, duke e bërë investimin me risk të lartë edhe në të ardhmen.
Në ditët në vijim pritet të kryhet një vlerësim i thelluar tektonik dhe gjeodinamik i gjithë zonës ku po realizoheshin punimet. Ekspertiza do të përcaktojë nëse territori përbën rrezik të përhershëm për infrastrukturën.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se një nga opsionet më të mundshme është rikthimi te projekti alternativ, ku një segment i rrugës do të kalojë mbi rrjedhën e Lumi Shkumbin ose përgjatë saj, duke shmangur masivin problematik që ka shfaqur lëvizje të vazhdueshme të tokës.
Situata tashmë konsiderohet një emergjencë kombëtare infrastrukturore. Bllokimi i këtij aksi ka krijuar zinxhir efektesh në transportin e mallrave, lëvizjen e qytetarëve, shërbimet publike dhe ekonominë rajonale./vizionplus.tv





