Ka nisur puna për ndërtimin e maternitetit të ri të Lezhës, brenda korpusit të këtij spitali rajonal. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi punimet për maternitetin e ri, një investim i qeverisë shqiptare prej 3.2 milionë dollarë.

 

“Qeveria shqiptare ka vendosur në prioritetet e saj shëndetin e nënës dhe fëmijës, ndaj rikthehemi në Lezhë me një premtim të mbajtur, duke bërë realitet një prej investimeve më të mëdha në dekadat e fundit për shëndetësinë në Lezhë, ndërtimin e maternitetit të ri, me vlerë 3.2 milion dollarë”, tha Manastirliu.

 

Duke theksuar se ky investim do të transformojë shërbimin për nënën dhe fëmijën për qarkun e Lezhës, Manastirliu tha se ky nuk është i vetmi investim në maternitete këtë vit.

 

“Pas ndërtimit të maternitetit të Korçës dhe Sarandës, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është duke investuar me fonde të buxhetit të shtetit për tranformimin e materniteteve edhe në spitalet rajonale të Kukësit dhe Beratit, me standardet më të mira të shërbimit shëndetësor, duke garantuar shërbim cilësor për nënat dhe fëmijët sa më afër vendbanimit”, u shpreh Manastirliu.

 

Materniteti i ri i Lezhës do të ketë mbi 3000 m2 sipërfaqe ndërtimi, godina do të jetë 5 kate 4 kate mbitokë dhe 1 kat nëntokë. Do të ketë 3 salla lindje, dy salla operacioni dhe pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë.

 

Gjatë inspektimit të fillimit të punimeve të ndërtimit të maternitetit të Lezhës, Ministrja Manastirliu shoqërohej nga Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, Prefekti i Lezhës Gjokë Jaku dhe deputetja Ardiana Jaku të cilët vlerësuan si shumë të rëndësishëm për Lezhën këtë investim të qeverisë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *