Subscribe

Në Gjykatën e Posaçme, ish- ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka paraqitur argumentet për mbrojtjen e tij përmes përfaqësuesve ligjorë.

 

Sipas tyre, ish-ministri nuk ka kryer korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh, pasi ka vepruar vetëm si titullar e jo si vendimmarrës.

 

Mbrojtja ia ka faturuar Ministrisë së Financave, asokohe e drejtuar nga Arben Ahmetaj, përgjegjësinë, pasi ministria e mjedisit nuk i ka patur fondet e nevojshme. Sipas Lefter Kokës me vendim të këshillit të ministrave, ministria e Mjedisit vuri në zbatim koncesionin.

 

Por edhe këtu thotë avokati, ka një anomali, pasi vetëm 2 prej 7 anëtarëve të komisionit të prokurimit kanë qenë pjesë e ministrisë së Mjedisit, 5 të tjerët janë të ministrisë së Financave dhe të Energjetikës.

 

Avokatët mbrojtës thonë se prokurorët po veprojnë me hipoteza, të cilat shkojnë deri në fantazi, pasi hetimi shmangu dhe pengoi të vërtetën për inceneratorin, duke mos kryer akt ekspertimi inxhinierik.

 

Ndërkohë, pritet që ish- ministri Lefter Koka të flasë në sallën e gjyqit. Për të organi i posaçëm i akuzës ka kërkuar dënimin me 10 vjet burg, të cilat me gjykim të shkurtuar konvertohen në 6 vjet e 8 muaj.

 

Për ish-vartësin e tij, Alqi Bllako, SPAK ka kërkuar 7 vjet heqje lirie, të cilat shkojnë në 4 vite e 8 muaj, ndërsa për pronarin, Klodian Zoto, 12 vite burgim që me gjykim të shkurtuar përkthehet në tetë vjet. Në total dosja e inceneratorit të Fierit ka 15 të pandehur.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *