Subscribe

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka vizituar Athinën në një kohë kur situata në Mesdheun Lindor vijon të jetë e tensionuar. Në takimin me kryeministrin, Kyriakos Micotakis, u vu theksi tek roli destabilizues i Turqisë ndërsa kreu i ekzekutivit grek gjithashtu ritheksoi se shtrirja e ujërave territoriale në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme sovrane e çdo shteti.

 

KYRIAKOS MITSOTAKIS  

KRYEMINISTER I GREQISE

“Turqia fqinje, për fat të keq, në një rol trazirash, po shkel ligjin ndërkombëtar, duke minuar paqen në shumë pjesë të ndjeshme të hartës. Dhe ajo që më shqetëson veçanërisht është se fqinji ynë e vesh këtë veprim agresiv me një mantel fetar, duke bërë kështu të dukshëm rrezikun për bashkëjetesën harmonike të popujve dhe feve. Greqia qëndron e vendosur në anën e së Drejtës Ndërkombëtare dhe Traktateve, si dhe rregullave të fqinjësisë së mirë. Ne e kemi provuar këtë në praktikë duke nënshkruar marrëveshje për demarkacionin detar si me Italinë ashtu edhe me Egjiptin.”

 

Ndërkohë, shefi i diplomacisë ruse theksoi se çështjet sipas konventës së vitit 1982 për ligjin e detit, duhet të zgjidhen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

 

SERGEI LAVROV

MINISTER I JASHTEM I RUSISE

 

“Tensioni i krijuar në rajon duhet të de-përshkallëzohet sa më shpejt që të jetë e mundur, përmes dialogut të drejtpërdrejtë. Kjo vlen edhe për çështjet sipas Konventës së vitit 1982 për Ligjin e Detit, kur çështjet lindin midis vendeve fqinje interesat e të cilave kryqëzohen dhe duhet të ketë një zgjidhje përmes marrëveshjeve transnacionale. Dhe kjo mund të arrihet përmes dialogut të drejtpërdrejtë. Rusia është shumë afër këtij rajoni. Ne kemi marrëdhënie të mira, të qëndrueshme me vendet e rajonit dhe nëse ka vullnet, interes nga partnerët tanë, ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në normalizimin e situatës.”

 

Ministri Lavrov është takuar edhe me homologun grek, Nikos Dendias,  i cili  vlerësoi progresin e dukshëm që është bërë në marrëdhëniet bilaterale të Greqisë me vendet e Ballkanit, duke folur specifikisht për marrëveshjen e arritur me Shqipërinë për zgjidhjen e çështjes së zonave detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *