Lavrov: Akuzat e May, thashetheme

Pas akuzave të kryeministres britanike Theresa May kundër Rusisë për sulmin me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus dhe vajzës së tij, ka reaguar ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ai tha se Britania e Madhe duhet t’i përmbahet konventës për parandalimin e Armëve Kimike dhe t’i japë të drejtë Moskës të marrë pjesë në hetimet mbi substancat që pretendohet se u përdorën për helmimin e Sergei Skripal dhe vajzës së tij.
“Sapo dolën thashethemet e udhëheqësve britanikë mbi faktin se një substancë e prodhuar në Rusi është përdorur në helmimin e Skripali. Ne kërkojmë menjëherë qasje në mostrat e kësaj substance, në mënyrë që ekspertët tanë të mund t’i analizojnë ato në përputhje me Konventën e Parandalimit të Armëve Kimike”.
Helmimi i ish-spiunit rus dhe vajzës së tij ka shkaktuar përplasje të fortë mes Moskës dhe Londrës.
Kryeministrja britanike Theresa May kishte bërë të qartë se Britania do të marrë masa të ashpra ndaj Rusisë, ndërsa i kërkoi palës ruse të jepte shpjegime më të besueshme rreth sulmit me element kimike. Por ministria e jashtme I quajti akuzat të motivuara politikisht.




