Federata Shqiptare e Futbollit ka lançuar në Tiranë projektin “Uniforma Ime” në një event të zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë ku morën pjesë mbi 8 mijë të rinj e të reja të shoqëruar nga prindërit e tyre dhe nga dashamirës të shumë të futbollit. Në këtë aktivitet me pjesëmarrje masive ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ambasadori i UEFA-s dhe një prej yjeve të futbollit kroat dhe të Milanit të madh, Zvonimir Boban, ish-futbollisti i Kombëtares, Mërgim Mavraj, figura të shuara të futbollit shqiptar si edhe personalitete të tjera nga fusha të ndryshme të jetës.

 

Gjatë aktivitetit janë shpërndarë edhe një pjesë e mirë e bazës materiale për disa nga klubet e akademitë shqiptare, ndërkohë që procesi i shpërndarjes së seteve vazhdon deri në startin e sezonit për moshat.

 

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Duka tha se është e vështirë t’i fshehësh emocionet, teksa duke kthyer kokën pas riktheu në vëmendje rrugëtimin e gjatë e të bukur që FSHF ka bërë në drejtim të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit shqiptar.

 

“Jemi rritur, përmirësuar, zhvilluar duke pasur në qendër të projektit tonë fëmijët, ekipet kombëtare dhe infrastrukturën. E ardhmja e një Kombi janë fëmijët, padiskutim që edhe në futboll është e njëjta logjikë. Pa ta futbolli do të vdiste, ashtu si edhe Kombi. Prandaj fokusi jonë kryesor dhe buxhetet tona më të mëdha prej vitesh alokohen te futbolli i bazës, për t’i dhënë kushte më të mira dhe më shumë mundësi çdo të riu dhe të reje që dëshiron të luajë futboll. Qëllimet strategjike, që shpalosëm pak muaj më parë në strategjinë “Futbolli për Kombin”, ishin për ndokënd të paarritshme, elektorale, populiste. Por ja ku jemi sot, në finalizimin e një projekti transformues për futbollin e fëmijëve në vendin tonë. Uniforma Ime nga sot, është një realitet i prekshëm për 15 mijë fëmijë që luajnë futboll në vendin tonë, për familjet e tyre. Çdo prind që ka sot një fëmijë që luan futboll dhe ata që dëshirojnë ti rrisin fëmijët me kulturën e të bërit sport, nga ky sezon do të shpenzojë 0 lek për të siguruar TË GJITHË bazën materiale të nevojshme për zhvillimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve gjatë një sezoni futbollistik. Secili prej jush do të ketë uniformën e stërvitjes, uniformën e lojës, tutat e përfaqësimit, çantën dhe fëshen e tij”, – tha Presidenti Duka, duke theksuar se nga sot Federata Shqiptare e Futbollit është një partner i madh i çdo familjeje shqiptare, që përballej me një kosto të madhe vjetore për të dërguar fëmijën e tij për të bërë futboll. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar shpjegoi se FSHF e konceptoi dhe ideoi këtë projekt si një detyrim që ndjen ndaj kujtdo që e kalon rininë e tij duke bërë sport dhe vit pas viti po ia çon kostot zero.

“Projekti Uniforma Ime, me një kosto vjetore 1.5 milionë euro, financuar 100% nga buxheti FSHF, i prezantuar në të gjithë Shqipërinë, sot bëhet i prekshëm, duke qenë se ju keni ose po merrni nëpër duar materialet sportive të kompanisë së mirënjohur “Macron”, me të cilat do të luani e stërviteni gjatë gjithë këtij sezoni futbollistik. Pa dyshim projekti do të përsëritet në të gjithë sezonet e ardhshme. Ky projekt është padiskutim një ndër më të bukurit e më të rëndësishmit që kemi realizuar në gjithë këto vite, kjo sepse i përket totalisht futbollit të bazës, atij që është edhe themeli i zhvillimit të futbollit në një vend. Nuk do të ndalemi në asnjë moment në objektivin tone për t’i krijuar ambientin perfekt çdo vajze dhe çdo djali për të luajtur futboll. Kjo është në themel të punës sonë të përditshme dhe ne jemi koshient se po ecim në rrugën e duhur”, – tha Duka, teksa vlerësoi edhe mbështetjen e Qeverisë shqiptare, UEFA-s e FIFA-n me të cilat janë realizuar projekte gjigande që kanë transformuar infrastrukturën e futbollit shqiptar.

 

 

Projekti i Federatës Shqiptare e Futbollit nisi nga ky sezon dhe do të mbulojë kostot çdo sezon për bazën materiale të të gjtha ekipeve të futbollit në të gjithë vendin për ekipet e moshave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *