Subscribe

Ndarja e pronave në zonat bregdetare do të kalojë në një  filtër të hollësishëm të institucioneve shtetërore me qëllim evidentimin e abuzimeve të kryera ndër vite. Bëhet fjalë për 30 mijë parcela të shtira nga veriu në jug, përgjatë vijës bregdetare që të verifikohen. Kreu i Aluizinit, i Hipotekave si dhe agjencia e pronave do të koordinojnë veprimet e tyre, për të evidentuar vendimet e dhënave më në mënyrë abuzive.

 

Mund të përmendim si zona me problematika të tilla: bregdetin e Velipojës, atë të Lezhës, të Shëngjinit, zonën e Kune-Vainit, Ishull Lezhën, Gjirin e Lalëzit, bregdetin e Spillesë në zonën e Kavajës, bregdetin e Semanit, zonën e Nartës, zonën e Orikumit, dhe bregdetin e Rivierës në përgjithësi në jug. Janë ndarë duke i konsideruar si toka bujqësore, zona e rërës, së plazheve, është ndarë zona e brezit pyjor të bregdetit, janë ndarë kënetat ligatinat e moçalet e ultësirës, janë ndërruar zërat kadastralë duke kthyer tokat e pafrytshme në toka bujqësore, është vepruar mbi prona që kanë qenë jetë e mot prona shtetërore, poligone apo reparte ushtarake.

 

Nisur edhe abuzimet e evidentuar në zonën e Spillesë në Kavajë kur prokuroria  ka arrestuar mbi 10 persona për abuzime me pronat, Artan Lame thotë se ka një tendencë të konstatuar ditët ë fundit që abuzuesit po tentojnë të rishesin pronat e përfituara në mënyrë jo ligjore.

 

Por vëmë re se, ditët e fundit, të kapur nga paniku i zbulimit të abuzimeve të bëra, një pjesë e të paudhëve po mundohen të humbasin gjurmët e krimit duke i shitur, ri-shitur, ndarë e copëzuar këto parcela të përfituara në rrugë të kundërligjshme. I bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë që në padijeni mund të bien në kurthe të tilla, të tregohen të kujdesshëm kur ju duhet të blejnë toka në zonën bregdetare, prona apo sipërfaqe toke me prejardhje të dyshimtë, apo që mund të duken si me çmime avantazhuese. Pas tyre fshihen njerëz apo ish-funksionarë që i kanë përfituar këto prona në mënyrë të paligjshme dhe tani, në panikun e zbulimit, përpiqen ti heqin qafe me çfarëdolloj çmimi.

 

Drejtuesit e tre institucioneve i bëjnë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në blerjen e tokave në bregdet. Para se ata të finalizojnë transaksionin duhet të interesohen pranë agjencisë së pronave, hipotekave apo zyrave urbanistike në bashki për të saktësuara ligjshmërinë e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *