Ish deputeti Ervin Salianji fitoi lirinë këtë të martë, tre muaj para përfundimit të dënimit me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen ‘Babale’.
Vendimi u dha në Gjykatën e Fierit, pasi Shërbimi i Provës paraqiti një raport pozitiv për 9 muajt e qëndrimit të tij në qeli, ndërsa edhe Prokuroria dha dakordësinë.
Salianji, në një konferencë për mediat, deklaroi se burgosja e tij ishte politike, teksa shtoi se dënimi që iu bë solli regres në demokraci. Ish-deputeti nuk kurseu as akuzat ndaj Ramës dhe Partisë Socialiste.
Salianji: Rikthehem pas 10 muajsh, thuajse siç ju premtova edhe herën e fundit kur u vetëdorëzova. Sot ja ku jemi, fatkeqësisht me të njëjtat sëmundje që ka Shqipëria. Me një Shqipëri që, edhe me dënimin tim, nuk pati ndonjë përfitim, por vetëm regres në demokraci. Burgosja ime politike u bë për shkak të prekjes së një prej karteleve më të mëdha të drogës në lidhje me pushtetin. Pushteti i Ramës buron nga këto lidhje, dhe dënimi politik ishte për të dhënë mesazh ndaj kolegëve të tjerë se kushdo që është kundër qeverisë mund ta pësojë edhe pa bërë asgjë. Është rasti i parë që një individ dënohet për këtë vepër penale, për kallëzim të rremë, ndërkohë që kallëzim nuk është bërë fare, vetëm një denoncim publik.
/vizionplus.tv





