Oscar-in për filmin më të mirë të vitit 2016 e fitoi “Moonlight”, pasi çmimi fillimisht iu dha gabimisht filmit “La La Land”.

 

Ceremonia, e organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave në SHBA, u përfshi nga kaosi, kur prezantuesja Faye Dunaway gabimisht njoftoi se “La La Land” ka fituar çmimin kryesor.

 

 

Pasi aktorët dhe ekipi i filmit pranuan çmimin, u dha njoftimi se “Moonlight” ka fituar në të vërtetë.

 

 

“La La Land”, një muzikal, i nominuar për 14 Oscar-e, fitoi gjashtë, përfshirë çmimin për aktoren më të mirë dhe regjinë më të mirë, raporton REL.

 

 

Prezantuesi tjetër i ceremonisë në Llos Angjelles, Warren Beatty, bëri pauzë para se të lexonte emrin e fituesit të madh. Ai tha më vonë se ka hezituar kur ka parë zarfin që lexonte emrin e aktores më të mirë, Emma Stone, nga “La La Land”, por që u mor dhe u lexua gabimisht nga kolegia e tij.

 

“Nuk është shaka. Moonlight ka fituar”, tha Beatty, duke treguar zarfin kah kamera.

 

Filmi “Moonlight” trajton rritjen e një djali, duke kaluar një fëmijëri të rëndë në Majami, me një nënë të varur nga droga.

 

Një dokumentar për luftën në Siri, ndërkaq, i titulluar “The White Helmets” fitoi Oscar për dokumentarin më të mirë të shkurtër.

 

Çmimin e aktorit më të mirë e mori Casey Affleck për rolin në filmin “Manchester by the Sea”.

 

Oscar-in për aktorin më të mirë mbështetës e mori Mahershala Ali në filmin “Moonlight”, ndërsa të aktores më të mirë mbështetëse e mori Viola Davis në filmin “Fences”.

 

Akuzat politike

 

Këtë mbrëmje pati dhe deklarata politike e kritika ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, përfshirë sulme për politikat e tij të imigrimit, shkruan Radio Europa e Lirë.

 

Një prej deklaratave më të fuqishme erdhi prej regjisorit iranian, Asghar Farhadi, filmi i të cilit “The Salesman” fitoi Oscar në kategorinë e flimit më të mirë në gjuhë të huaj.

 

Farhadi bojkotoi ceremoninë në shenjë proteste ndaj përpjekjeve të Trumpit për të goditur imigrantët.

 

Inxhinierja iraniane, njëherësh turiste në hapësirë, Anousheh Ansari, e mori çmimin në emër të Farhadit.

 

“Më vjen keq që nuk jam me ju sonte. Mungesa ime është nga respekti për njerëzit e vendit tim dhe ata të gjashtë vendeve të tjera, që janë përçmuar me ligjin çnjerëzor, i cili u ndalon migrantëve hyrjen në SHBA”, tha regjisori Farhadi në deklaratën që e lexoi Ansari.

 

“Ndarja e botës në ‘ne’ dhe ‘armiqtë tanë’ krijon frikë, një arsyetim të rremë për agresion dhe luftë”, tha tutje regjisori iranian.

 

Filmi i tij “The Salesman” është një dramë, e bazuar në Teheran, që flet për luftën e një çifti të martuar, pasi gruaja është sulmuar në apartament, derisa ishte vetëm.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *