E shtunë, 19 Shtator 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Kuvendi shtyn Reformat Zgjedhore e Territoriale

Në seancën e sotme plenare, pas miratimit të pikave të para të rendit të ditës me 73 vota të shumicës socialiste, Kuvendi u përfshi nga debate të ashpra për dy çështjet më të nxehta politike, Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.

Fillimisht, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi kalimin në votim të Reformës Zgjedhore, por përballë kundërshtive të opozitës ndërhyri kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ai propozoi shtyrjen e diskutimit për në seancën e radhës më 30 tetor, duke theksuar se megjithëse kishte pasur dakordësi paraprake, opozita vijonte të mos binte dakord.

E njëjta situatë u përsërit edhe për Reformën Territoriale. Balla deklaroi se mazhoranca ishte e gatshme të pranonte të gjitha amendamentet e Partisë Demokratike, por për shkak të kundërshtive të saj, vendosi të shtyhej edhe kjo çështje për në 30 tetor.
Pas votimit, me 73 vota kundër dhe 37 pro, u vendos shtyrja e Komisioneve të Posaçme Parlamentare për të dyja reformat.

Në fund të seancës, mazhoranca rrëzoi me 70 vota kundër propozimin e Partisë Demokratike për mocionin me debat lidhur me rezolutën e gjenocidit serb në Kosovë, vendim që solli reagime të forta nga opozita gjatë votimit.

Rendi i ditës i diskutuar dhe votuar sot në Parlament:

  1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 9.10.2025.
  2. Njoftime
  3. Raporti i veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2024.
  4. Raporti i veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2024.
  5. Raporti i veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2024.
  6. Raporti i veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2024.
  7. Projektligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
  8. Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Shqyrtimin dhe Përzgjedhjen e Kandidaturave të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”
  9. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

/vizionplus.tv

 

Vazhdo të lexosh