Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë plenare të martën në 18 prill, ku do të vazhdohet me pikat e mbetura nga seanca e kaluar, ndërsa të mërkurën në 19 prill do të mbahet seanca e re, ku do të mbahen dy interpelanca dhe dy debate parlamentare, si dhe do të shqyrtohen disa pika të tjera.

 

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të saj, të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli, në të cilën merrnin pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

 

Të martën, Kuvendi pritet të votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, Propozim-rezolutën në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe të shqyrtojë për herë të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale. Më pas, deputetët do të shqyrtojnë Propozim – Programin e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2017 dhe të zgjedhin një anëtar të Komisionit të Pavarur për Media.

 

Për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore të Kosovës, ndërsa është paraparë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, si dhe i atij për automjete.

 

Në seancën e të mërkurës, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të paraqitet në interpelancë kryeministri Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, për çështjen e shfrytëzimit e thëngjillit dhe minierën e Sibovcit.

 

Më pas, para deputetëve, në një interpelancë tjetër lidhje me Kontratën e privatizimit të Kompanisë së Distribuimit të Energjisë Elektrike, do të jetë ministri Blerand Stavileci, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues.

 

Në këtë seancë, pritet të mbahen edhe dy debate parlamentare: njëri, sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga nëntë deputetë të tjerë nënshkrues, në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetëve Bekim Haxhiu dhe Xhevahire Izmaku, të mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nënshkrues, në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

 

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe një varg çështjesh të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *