Kuvendi në kërkim të kryetarit, dështon edhe seanca e dytë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Deputetët e Kosovës u mblodhën sërish në përpjekje për të konstituar Kuvendin.
Në seancën e të premtes ish-ministri i Financave Hekuran Murati nuk ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryetar i Parlamentit.
57 deputetë votuan pro, 51 kundër dhe 6 abstenuan
Përfaqësuesja e koalicionit Lëvizjes Vetëvendosje, Alternativa dhe Lëvizja Guxo, Donika Gërvalla, propozoi Hekuran Muratin, duke thënë se ai ka bërë një punë të shkëlqyeshme si ministër i Financave.
Pas seancës Kreu i PDK-së, Memli Kransiqi theksoi se asnjë ministër i qeverisë Kurti nuk do të marrë votat për kryetar kuvendi.
Seanca e radhës do të mbahet më 24 gusht në orën 11:00.
Në seancën e 20 gushtit, ashtu siç e kërkoi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për bllokadën politike, votimi për kryeparlamentarin u bë me votim të hapur, ku Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvallën, por asnjëra nuk mori 61 votat e nevojshme për tu zgjedhur.
Gjykata Kushtetuese të hënën e publikoi aktvendimin për ngërçin politik, i cili përcakton një afat 30 ditor për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij një kandidat apo kandidate nuk mund të votohet më shumë se tri herë./vizionplus.tv




