Kuvendi miratoi projektligjin “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar” me 86 vota pro, 6 kundër dhe 6 abstenim.

Ky projektligj siguron plotësimin e hendekut ligjor lidhur me ushtrimin e veprimtarisë së përkthimit zyrtar në Republikën e Shqipërisë dhe certifikimin e subjekteve që ushtrojnë profesionin e përkthyesit zyrtar.

Ministrja për Drejtësi, Etilda Gjonaj tha në seancën plenare se për të parën herë në Kuvend prezantohej projektligji për përkthimin zyrtar dhe profesionit të përkthyesit zyrtar.

Që nga viti 2000 Ministria e Drejtësisë, e ka mbuluar në nivel republikan kombëtar, nevojën për përkthyes zyrtar në Republikën e Shqipërisë.

Harta e përkthyesve të autorizuar nga Ministria e Drejtësisë ka numrin e lartë 910 të përkthyesve në nivel kombëtar.

Sipas ministres, në këtë hartë, kryeson Tirana me 70% të numrit të përgjithshëm të përkthyesve dhe mandej renditen Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri.

Trupa e përkthyesve mbulon 27 gjuhë të huaja si anglisht, italisht, gjermanisht, frengjisht, greqisht, spanjisht, e deri te gjuhët e rralla.

Qëllimi i projektligjit, që nuk prek lëminë e përkthyesve letrarë, lidhet gjithashtu me rëndësinë e përkthimit sidomos të dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e ministrisë në fushën e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë dhe jo vetëm.

Për këtë arsye, Gjonaj theksoi janë vendosur parashikime të qarta si për formimin që duhet të kenë përkthyesit, por dhe për një mori çështjesh që lidhen me mënyrën e funksionimit të këtij profesioni.

Kjo nismë ligjore, sikundër arsyetoi e para e Drejtësisë në Shqiëpri, synon rregullimin e profesionit të përkthyesit që nga kushtet që duhet të përmbushin individët për të ushtruar profesionin e përkthyesit zyrtar, kriteret e përzgjedhjes së dhe trajnimi i përkthyesve sipas fushave të tyre të përgjegjësisë, procedurën e testimit, të drejtat dhe përgjegjësitë gjatë ushtrimit të veprimtarisë, njohjen ligjërisht të punës së përkthyesit duke pranuar dokumentin e përkthyer prej tij si zyrtar dhe jo të certifikuar nga një hallkë tjetër institucionale.

“Projektligji parasheh detajisht rregullat për certifikimin e profesionit të përkthyesit zyrtar dhe interpretit, mbikqyrjen dhe kontrollin nga Ministria e Drejtësisë si organi certifikues, fillimin e hetimit dhe procedimit disiplinor në rastet e shkeljeve të përcaktuara nga ky projektligj, ashtu si dhe masat disiplinore deri në heqjen e licencës”-tha ministrja.

Gjithqysh sipas saj, është me rëndësi të veçantë të përmendim si risi në punë si dhe politikave sociale: përfshirja për herë të parë në këtë ligj, në mënyrë të plotë dhe ligjore, të statusit të interpretit të gjuhës së shenjave, duke i dhënë mundësinë kategorisë së personave që nuk dëgjojnë të kenë interpretin e gjuhës së shenjave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore sipas parashikimeve të legjislacionit procedurial në fuqi.

Në regjistrin elektronik të përkthyesve zyrtarë tashmë do të përfshihen edhe interpretët e gjuhës së shenjave, nëpërmjet konkurimit sipas kritereve specifike dhe certifikohen nga Ministri i Drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *