Pak ditë pas publikimit të progres raportit për Kosovën nga Bashkimi Europian, kuvendi ne Prishtinë debaton në një seancë të jashtëzakonshme, për punën që qeveria ka bërë deri më tani në rrugën drejt BE-së.

 

Shefi i grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti, u shpreh se qeveria nuk I ka dhënë asnjë sinjal pozitiv Brukselit.

 

“Raporti qartëson se qeveria e Kosovës nga shtatori i vitit 2017 nuk ka dërguar asnjë sinjal bindës që ka shteti i Kosovës, si rezultat i kësaj, dalja e Kosovës nga izolimi nuk ka ndodhur ende…”

 

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, akuzoi qeverinë se gjyqësori, arsimi dhe punësimi i të rinjve, janë ende në “fazën fillestare”.

 

“Unë kam arritur t’i nxjerr 22 përfundime shumë të rëndësishme e që dua ti ndaj me ju. Sistemi gjyqësor është në fazë të hershme, pra ‘Early stage’. Vet sistemi i drejtësisë karakterizohet në hapat e tij të parë. Institucionet e gjyqësorit ende mbeten të cenueshme nga ndikimi politik”.

 

Por, zëvendës kryeministri, Enver Hoxhaj, theksoi se në progres raport vlerësohet puna e dy qeverive.

 

“Ky është një vlerësim i punës së dy qeverive dhe Kuvendit të Kosovës dhe i cili përfshin edhe ndërprerjen e punës për shkak të zgjedhjeve të parakohshme dhe ato lokale. Ne si Qeveri kemi merri që ta lexojmë raportin në tërësi, por nuk kemi analizuar çdo paragraf”.

 

Megjithatë opozita thekson se është e padrejtë që Kosova nuk ka marrë asnjë premtim, ndërsa Serbisë i është premtuar anëtarësimi në BE, nëse përmbush kushtin për përmirësimin e raporteve me Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *