Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe hapi siparin sot me një ceremoni të veçantë në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Gjuhëtari Emil Lafe tha se gjuha është pasqyra e një kombi ndërsa vuri në dukje problemet kryesore me të cilat përballet ajo.
“Shtetit tonë i mungon një regjistër i modifikuar i emërtimeve të qendrave të banuara, emërtimet e qendrave janë shkruar plot me gabime. Probleme gjuhësore vërehen edhe në emërtimet politike shumë të rëndësishme. Duhet të kemi guximin për të ndrequr gabimet gjuhësore. Një gjuhë ka nevojë të pastrohet nga hithrat që ka zënë. Gjuha e njësuar nuk ka të bëjë vetëm me gramatikën por duhet të jetë në lartësinë ashtu si shkencat e tjera”, tha zoti Lafe.
Kryeministri Rama u shpreh se shqipja do të arrijë t’i shpëtojë sulmeve që vijnë kryesisht nga rrjetet sociale.
“Ka ende shpresë që gjuha shqipe t’i mbijetojë barbarisë së këtij shekulli që kërcënon gjerësisht gjuhët në tërësi dhe rrënjët e njerëzimit në përgjithësi.
Shumë shpejt do të jetë edhe gjuhë zyrtare në BE, ku në mos gjuha më e lashtë e kombeve europiane, do të rreshtohet ndër më të rrallat e të veçantat mes tyre”, tha Rama.
Për dy ditë radhazi, Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe do të diskutojë për sfidat dhe mundësitë e gjuhës shqipe në epokën moderne./vizionplus.tv





