Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i kërkoi sot deputetëve të votojnë marrëveshjen për portin e Durrësit.

 

Në fjalën e tij në Kuvend, lidhur me kërkesën e mazhorancës për të përfshirë në rendin e ditës marrëveshjen për portin e Durrësit kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se “thirrja ime është për deputetët e Durrësit, që jo vetëm ta votojmë sot, por ta votojmë edhe në momentin që kjo do kalojë në seancë, sipas projektvendimit që duhet ta votojmë pa humbur kohë”.

 

“Shteti shqiptar ka negociuar për një kohë të gjatë dhe ka sjellë një kontratë të besueshme dhe që i jep mundësi Shqipërisë, që nga një mungesë totale në hartën e porteve turistike në Mesdhe, të kthehet në një prej pikave të rëndësishme të këtij sektori ku ne nuk kemi ekzistuar fare”, tha Balla.

 

Balla u shpreh se “shumë shpejt, Porti i Durrësit do të kthehet në një prej porteve më të rëndësishme të industrisë globale të turizmit e shoqëruar me pjesën e zhvillimit të akomodimit të jahteve dhe do e kthejë Durrësin në një nga atraksionet më të rëndësishme të Mesdheut”.

 

Kreu i grupit parlamentar të PS-së iu drejtua opozitës që të tërheqë pas gjithë akuzat.

 

“Ju nuk duhet të vazhdoni t’i shkoni nga mbrapa këngës së Saliut. Këtë këngë e ka nisur Saliu, por ai e ka mendjen në vend tjetër, është në borderonë e Kremlinit. Nuk ka asnjë lloj interesi që Shqipëria të ketë një port që të konkurrojë porte të tjera ku Kremlini ka interesa të tjera”, tha Balla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *