Subscribe

Pas procedurave ligjore, nga kjo e enjte ligji themeltar i shtetit per Kushtetutën e re hyri në fuqi. Por pavarësisht ketij fakti, Kushtetuta ka prodhuar ngërçet e para. Funksionimi i saj varet direkt nga një paketë me 7 ligje, e cila ende nuk është miratuar në Parlament.
Menjëherë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese, faktori ndërkombëtar kërkoi votimin e ligjit për vetingun. Për këtë pati një mbledhjeje të Komisionit të posaçëm parlamentar, por i cili nuk prodhoi asgjë. Pritet që në pjesën e dytë të gushtit, komisioni të rimblidhet dhe të shqyrtojë ligjin, më pas t’i dërgoi për votim Parlamentit në seancë të jashtëzakonshme. Një ngërç që buron nga Kushtetuta konstatoi Presidenti i Republikës, i cili do të duhet që brenda 5 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit themeltar, të përzgjedhë përmes shortit anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Por mungesa e një ligji, sipas Presidentit sjell pamundësinë e nisjes së procedurave kushtetuese. Kushtetuta e re erdhi pas dy vitesh angazhimi politik, negociatash deri në minutën e fundit, llogaritjesh politike, debateve të ashpra mes palëve, përfshirje të forte të faktorit ndërkombëtar, e madje edhe ultimatumeve drejtuar klasës politike. Qëllimi është drejtësi e pavarur, e paanshme nga presionet politike e financiare, e cila do t’i japë fund kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
Kushtetuta e re, me 47 nene të ndryshuara shoqëruar me anekset, sjell një ndryshim tërësor në funksionimin dhe organizimin e gjyqësorit dhe organit të akuzës në vend.
Së pari, synohet pastrimi i sistemit nga element të korruptuar, që do të realizohet përmes procesit të kontrollit të pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, njohur ndryshe si vetingu, ku rol të rëndësishëm do të ketë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Pas ridimensionimit të sistemit krijohen institucione të reja, që kane për qëllim zbatimin rigoroz të ligjit. Sistemi i drejtësisë shqiptare përbëhet aktualisht nga rreth 740 gjyqtarë dhe prokurorë në të gjitha nivelet. Me Kushtetutën e re, të gjithë do të kenë një trajtim më të veçantë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *