Subscribe

Gjykata Kushtetuese e Kosoves tha të enjten mbrëma se “Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.

Në vendim thuhet më tej se “dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin 14 të nenit 84 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës.

Vendimi i sontëm i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin e ri për qeverinë e re.

Më 30 prill presidenti Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ai e mirëpriti të enjten mbrëma vendimin e gjykatës duke bërë thirrje që “partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën. Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”, shkroi ai në rrjetet sociale./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *