Kushtetuesja, KED: Kuvendi e presidenti të shpallin vakancat për dy vende

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka përfunduar procesin e intervistave me kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese. Këtë të premte janë intervistuar pesë candidate: Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Regleta Panajoti dhe Marsida Xhaferllari, ndërsa dy ditë më parë u intervistua Besnik Muçi.
Gjashtë kandidatët konkurrojnë për katër vende në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Këshilli i Emërimeve do të njoftojë Kuvendin dhe Presidentin për plotësimin e dy vendeve të tjera vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Në përfundim të procesit të shqyrtimit të dokumentacionit të secilit kandidat, do të thirret mbledhja e Këshillit të Emërimeve.
Sa i përket vendimarrjes së KED lidhur me fillimin ose jo të procedurave të vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve të lejuar për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ajo shtyhet për në një mbledhje tjetër, duke u dhënë mundësi kandidatëve të ankohen pranë Gjykatës Administrative të Apelit.




