Ekipi Negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë është shpallur jokushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

 

Gjykata ka vendosur në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje me të cilën kontestohet jo kushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë.

 

Gjykata Kushtetuese përmes një deklarate për mediat thekson se  delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i parashikuar me Kushtetutë dhe nuk është i parashikuar brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushteti.

 

Gjykata gjithashtu në vendinmin e saj ka konstatuar se si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës.

 

Më tej, Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse, siç thuhet, i mvesh delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me dispozitat kushtetuese.

 

Ndërkohë menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti ka thënë se që nesër (e premte) do t’i dorëzojnë dorëheqjet. Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka thënë se dialogu me Serbinë është procesi më i rëndësishëm politik sot në Kosovë dhe për të nevojitet koncesus dhe vendimmarje në Kuvend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *