Gjykata Kushtetuese duket se do të plotësohet brenda këtij viti. Sot Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur të nisë fazën finale në lidhje me kandidatët për dy vende bosh në këtë gjykatë, që është intervistimi i kandidatëve dhe vlerësimi i tyre me pikë për t’ua çuar me pas Presidentit të Republikës dhe parlamentit të cilët kanë të drejtën të zgjedhin nga një anëtar në Kushtetuese.

Ky proces duket se nuk do të kërkojë shumë kohë pasi për këto dy vakanca kanë mbetur në garë vetëm dy kandidatë: Altin Binaj dhe Sonila Bejtja, të cilët mund të thuhet që sot se janë anëtarët e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur të njoftojë presidentin dhe parlamentin për procedurat që do të ndjekë, por të dy institucionet ndajnë të njëjtin vullnet për të ngritur sa më shpejt Kushtetuesen e nuk pritet të ketë përplasje.

Vonesa në kohë mund të shkaktohet vetëm në rast se kandidatët e përjashtuar nga gara nga këshilli do të ankohen në Gjykatë Administrative, pasi në këtë rast duhet pritur vendimi final i gjykatës.

Me emërimin e dy gjyqtarëve të rinj, Kushtetuesja do të ketë 6 anëtarë e do të ketë mundësi të zhvillojë mbledhje e të marrë vendime.

Ka qenë ambasadorja e SHBA Yuri Kim e cila ka bërë apel që Gjykata Kushtetuese të jetë  funksionale brenda vitit.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *