Ekipet e kërkimit janë në garë me kohën për ta gjetur një nëndetëse që është zhdukur sa ka qenë duke u zhytur në drejtim të pjesëve të fundosura të Titanikut, ditën e diel.

Kontakti me nëndetësen ka humbur rreth një orë e 45 minuta, pas nisjes së zhytjes në Oqeanin Atlantik.

Në operacionin e kërkimit janë përfshirë ekipe nga Bostoni, me synimin që ta gjejnë nëndetësen dhe pesë personat e bllokuar në të.

Hamish Harding

Harding, 58-vjeçar nga Britania, është pronar i një kompanie të aeroplanëve privatë, me bazë në Dubai.

Deri më tani, ai ka marrë pjesë në shumë ekspedita eksplorimi në natyrë.

Ai e ka vizatuar Polin Jugor disa herë – një herë me ish-astronautin Buzz Aldrin – dhe ka fluturuar në Hapësirë më 2022, bashkë me katër persona tjerë, në fluturimin e organizuar nga kompania Blue Origin.

Ai i ka tri rekorde Guinnes, përfshirë atë për kohën e kaluar më së gjati në një zhytje në oqean.

Në verën e vitit 2022, ai i ka thënë revistës Business Aviation që ai është rritur në Hong Kong, është kualifikuar si pilot në mesin e viteve 1980, sa ka qenë duke studiuar në Kembrixh, dhe e ka themeluar kompaninë për prodhim të aeroplanëve privatë, pasi ka bërë pasuri me sistemet softuerike nëpër banka.

Ai ka thënë se zhytja drejt Titanikut ishte planifikuar të ndodhte në qershor të vitit 2022, mirëpo ajo është shtyrë, sepse “nëndetësja, fatkeqësisht është dëmtuar në zhytjen paraprake”.

Sipas tij, askush nuk është plagosur në incident.

I pyetur për apetitin e tij për të eksploruar, ai ka thënë: “Mendoj se këto janë të gjitha rreziqe të kalkuluara dhe mirë të menduara, para nisjes”.

Në fundjavën e kaluar, ai ka thënë në Facebook se misioni “mund të jetë i pari dhe i fundit për vitin 2023”, për shkak të kushteve jo të mira klimatike në Njufaundllend të Kanadasë, prej ku nis ekspedita.

Më vonë, thjeshtri i tij, Brian Szasz ka thënë – në një postim në Facebook, që tani e ka fshirë – se njerku i tij “është zhdukur në nëndetëse”.

Miku David Mearns, shkencëtar marine dhe lider i shumë ekspeditave, e ka përshkruar Hardingun si “burrë shumë sharmant”, të cilin e tërheqin “aventurat ekstreme”.

Patrick Woodhead, themelues i operatorit britanik të udhëtimeve, White Desert Antarctica, ka thënë se Harding ka qenë eksplorues “fantastik” i aviacionit, dhe bashkëndjen me gruan e Hardingut, Lindan, dhe djemtë e tij.

Terry Virts, astronaut i pensionuar në Agjencisë amerikane të Hapësirës, NASA, ka thënë se shoku i tij ka qenë “eksplorues i madh britanik”, por nuk ka qenë i dhënë pa masë pas adrenalinës.

“Disa njerëz shikojnë Netflixin, disa luajnë golf, dhe Hamish shkon në fund të oqeanit, apo në Hapësirë, dhe thyen rekorde duke udhëtuar rreth planetit”, ka thënë ai për programin Radio 4 Today të BBC-së.

Shahzada dhe Suleman Dawood

Biznesmeni britanik, Shahzada Dawood, 48-vjeçar, është pjesë e një prej familjeve më të pasura pakistaneze.

Ai ka qenë duke udhëtuar me djalin e tij, Sulemanin, student 19-vjeçar, në nëndetësen e zhdukur.

Ai jeton me gruan e tij, Christine, dhe fëmijën tjetër, Alinën, në jugperëndim të Londrës, mirëpo familja e ka kaluar një muaj në Kanada, para se të niste ekspedita.

Shahzada është nënpresident i konglomeratit pakistanez, Engro Corporation, e cila njihet si kompani shumë e madhe dhe e specializuar për plehra.

Ai punon me fondacionin e familjes së tij, Dawood, si dhe me Institutin SETI – një organizatë kërkimore me bazë në Kaliforni, e cila tenton të kuptojë nëse ka jetë jashtëtokësore.

Shahzada është edhe mbështetës i dy shoqatave të bamirësisë, të themeluara nga Mbreti Charles.

Një zëdhënës i pallatit mbretëror në Britani, ka thënë se mbreti ka kërkuar që të informohet vazhdimisht për operacionin e kërkim-shpëtimit dhe se “lutet për ata që janë në bord”.

Familja e Shahzades ka thënë përmes një deklarate se ai është i interesuar në “eksplorim të habitateve të ndryshme natyrore”, dhe se ka diskutuar për këto çështje me Kombet e Bashkuara dhe Unionin e Oksfordit.

Ai ka studiuar në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara dhe në Universitetin Buchkingham në Angli, ku ka diplomuar më 1998.

Në deklaratën e familjes, studenti Suleman është përshkruar si “pëlqyes i madh i shkencës, dhe si i etur për dije”.

Paul-Henry Nargeolet

Paul-Henry Nargeolet, 77-vjeçar, ish-zhytës i marinës franceze, ka qenë, po ashtu, në bord.

I njohur me nofkën Titaniku, ai besohet se ka kaluar kohë në pjesët e fundosura të anijes Titanik, më shumë sesa secili eksplorues tjetër, dhe se ka qenë pjesë e ekspeditës së parë te anija më 1987, vetëm dy vjet pasi është zbuluar.

Ky 77-vjeçar është udhëheqës i një kompanie për kërkime nënujore, e cila i ka të drejtat për gjithçka që lidhet me pjesët e fundosura të Titanikut.

Sipas profilit të kompanisë, Nargeolet e ka mbikëqyrur rikuperimin e mijëra artefakteve të Titanikut, përfshirë “copën e madhe” – një pjesë 20-tonëshe e anijes.

Zëdhënësi i familjes, Mathieu Johann, ka thënë se shpreson që përvoja dhe karriera ushtarake e Nargeoletit, do t’i japin siguri ekipit në bord, edhe nëse rezultati i operacionit nuk varet prej tij.

Sipas tij, pak para nisjes në ekspeditë, Nargeolet ka thënë se mezi e pret një ekspeditë tjetër në vitin e ardhshëm për t’i nxjerrë disa objekte nga pjesët e fundosura.

Stockton Rush

Stockton Rush, 61-vjeçar, është shef ekzekutiv i OceanGate, kompanisë që realizon ekspeditën drejt Titanikut, dhe kompania e ka konfirmuar se edhe ai është në bord.

Ai është inxhinier me përvojë, i cili më parë e ka dizajnuar një aeroplan eksperimental dhe ka punuar edhe në nëndetëse tjera të vogla.

Rush e ka themeluar kompaninë më 2009, duke iu ofruar konsumatorëve mundësi për ta përjetuar udhëtimin në thellësi të detit, dhe e ka marrë vëmendjen e mediave botërore më 2021, kur ka nisur të ofrojë mundësinë për turistët që duan ta shohin prej afër Titanikun e fundosur.

Për 250.000 dollarë, kompania e tij u ofron pasagjerëve mundësinë që ta shohin prej afër se çfarë ka mbetur nga anija e famshme.

Pjesëmarrësit udhëtojnë rreth 595 kilometra në një anije të madhe – përmbi anijen e fundosur – dhe më pas zhyten nën ujë për 8 orë me nëndetësen Titan.

Duke folur për të përditshmen amerikane, New York Times, më 2022, ai e ka mbrojtur këtë model biznesor, duke thënë se çmimi i biletës përbën vetëm një pjesë të biletës për të shkuar në Hapësirë.

Në një artikull të publikuar më 2017 në faqen e Universitetit Princeton – ku edhe ka studiuar – është thënë se Rush shkon në secilën zhytje që e realizon kompania e tij OceanGate./BBC

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *