Shkrimtarja dhe studiuesja Lea Ypi, e ftuar në studion e QUO VADIS në Vizion Plus zbuloi më shumë detaje nga libri i saj më i ri “Të poshtëruar”.
Në qendër të librit është pikërisht gjyshja e Leas, por që njëkohësisht në të portretizohet gjithë rrugëtimi i familjes, duke bërë pjesë të rrëfimit edhe periudhën e rënies së Perandorisë Osmane, ngritjen dhe rënien e fashizmit, vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe të tjera momente me rëndësi historike.
E pyetur në studio nga moderatorja Pranvera Borakaj se a arriti ajo të mësonte se kush ishte “Tribuni”, njeriu i sigurimit te dosja e gjyshes së saj, Lea u përgjigj se jo.
Ajo tha se kureshtja lindte nga ideja se Tribuni mund të kishte vepruar si shpëtimtar, duke shkelur pritshmëritë e sistemit komunist, ku narrativë e zakonshme paraqet të mirët në njërën anë dhe bashkëpunëtorët si të këqij.
Ajo sqaroi se kërkesa për informacion ishte bërë si studiuese dhe jo si familjare, çka sipas Leas, ia kufizoi marrjen e informacioneve të sakta.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: E mësuat ju kush ishte Tribuni?
Ypi: Nuk e mësova. Pata vetëm një çast kureshtje për të ditur emrin, kur mendova se ai ishte shpëtimtar… sepse mendoja që narrativa e komunizmit është se këtu janë të mirët dhe aty të këqijtë, dhe gjithmonë bashkëpunëtorët janë të këqij. Për mua është e rëndësishme që në çdo sistem të ketë dikë që i reziston kërkesave të sistemit dhe tregon ndërgjegje morale.
Dhe kur mendova që një nga këta bashkëpunëtorë ishte një rast i tillë, një rast që rrezikonte veten, karrierën dhe jetën, kisha kureshtje të mësoja më shumë. Ngjarjet në libër dalin të papritura dhe historia ishte shumë më banale, ndaj më pas nuk ngula këmbë. Kërkesën e kisha bërë si studiuese, jo si familjare. Po ta kisha bërë kërkesën si anëtare e familjes, atëherë mund të merrja informacione të sakta për emrat e bashkëpunëtorëve.
/vizionplus.tv





