Bombardimet e centralit bërthamor në Zaporizhja në pjesën jugore të Ukrainës e kanë shtuar rrezikun e një fatkeqësie vetëm 500 kilometra larg vendit ku ndodhi fatkeqësia e vitit 1986 në Çernobil, aksidenti më i keq bërthamor në botë.

 

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), që ka përsëritur disa herë shqetësimet për bombardimet e këtij centrali, ka propozuar krijimin e një zone për mbrojtje të sigurisë bërthamore përreth centralit.

 

Çfarë materiale bërthamore ka në centralin më të madh bërthamor të Evropës, cilat janë rreziqet dhe pse po luftojnë për të Rusia dhe Ukraina?

 

Çka është centrali i Zaporizhjas?

 

Centrali bërthamor i Zaporizhjas ka gjashtë reaktorë të modelit sovjetik, VVER-1000 V-320, që ftohen me ujë. Ata përmbajnë uranium 235, element që i duhet më shumë se 700 milionë vjet që të përgjysmohet.

 

Ndërtimi i tij filloi më 1980 dhe përfundoi më 1996, kur reaktori i gjashtë u lidh në rrjet. Këta gjashtë reaktorë tani janë mbyllur – i fundit më 12 shtator.

 

Kjo mbyllje do të thotë se temperatura e reaktorëve është tani nën pikën e vlimit, por pompat elektrike që lëvizin ujin nëpër bërthamat e reaktorëve duhet të vazhdojnë punën për ta ftohur karburantin.

 

Centrali nuk po prodhon më elektricitet.

 

Cilat janë rreziqet?

 

Rreziku më i madh është mbinxehja e karburantit bërthamor, që mund të ndodhë nëse ndërpritet energjia që e fuqizon sistemin e ftohjes. Bombardimet disa herë i kanë ndërprerë linjat e furnizimit me energji.

 

Ky central e humbi burimin e fundit të jashtëm të energjisë më 8 tetor dhe mbeti i varur në gjeneratorë me naftë për më shumë se një ditë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore. Linjat e furnizimit me energji u restauruan më 9 tetor.

 

Para luftës, centrali kishte katër linja të energjisë me tension të lartë që i jepnin qasje në rrjet, si dhe disa linja rezervë.

 

A mund të shkrihen reaktorët?

 

Uji me presion përdoret për transferimin e nxehtësisë nga reaktorët edhe kur ata të jenë të mbyllur, ndërsa uji me pompë përdoret për ftohjen e karburantit të shpenzuar nuklear.

 

Nëse ndërpritet energjia dhe sistemet ndihmëse – 20 gjeneratorë me naftë, që kanë naftë të mjaftueshme për dhjetë ditë – nuk arrijnë t’i ftohin reaktorët, atëherë karburanti mund të shkrihet dhe mbështjellësja prej zirkoni mund të lëshojë hidrogjen.

 

Çka nëse ndodh shkrirja?

 

Shkrirja e karburantit, që mbetet tejet i nxehtë për një kohë edhe pas mbylljes së reaktorit, mund të shkaktojë një zjarr apo shpërthim që mund të lëshojë një shtëllungë radionuklidësh në ajër që mund të shpërndahet në një territor të madh.

 

Aksidenti i Çernobilit kishte lëshuar jod 131, cezium 134 dhe 137 dhe stroncium 90 nëpër pjesën veriore të Ukrainës, Bjellorusi, Rusi dhe në pjesën veriore dhe qendrore të Evropës.

 

Pothuajse 8.4 milionë njerëz në Bjellorusi, Rusi dhe Ukrainë i ishin ekspozuar rrezatimit radioaktiv, sipas Kombeve të Bashkuara (OKB). Kësaj fatkeqësie i janë atribuuar drejtpërdrejt gati 50 vdekje.

 

Por, edhe 600 mijë “likuidatorë”, që shërbyen në operacione zjarrfikëse dhe pastrimi, i ishin ekspozuar dozave të larta të rrezatimit radioaktiv.

 

Tani ka gjithnjë e më shumë dëshmi se ndikimi në shëndet i fatkeqësisë në Çernobil ishte shumë më serioz sesa që ishte thënë fillimisht në vitet e para pas aksidentit.

 

Pas aksidentit, u rrit numri i rasteve të fëmijëve të diagnostikuar me kancer tiroid në pjesë të Bjellorusisë, Rusisë dhe Ukrainës. Gjithashtu, pati një numër shumë më të madh të fëmijëve të diagnostikuar me çrregullime endokrine, anemi dhe sëmundje të frymëmarrjes në zonat e kontaminuara.

 

Çka ndodh me karburantin e shpenzuar?

 

Përveç reaktorëve, në Zaporizhja ka edhe një objekt për ruajtjen e thatë të karburantit të shpenzuar, si dhe një objekt tjetër ku ky karburant ftohet nën ujë.

 

“Pellgjet e karburantit të shpenzuar janë thjesht pishina të mëdha me shufra uraniumi me karburant në to – ato janë tejet të nxehta, varësisht nga sa gjatë kanë qëndruar aty”, tha në gusht Kate Brown, historiane e mjedisit në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, libri i së cilës “Manual për Mbijetesë” dokumenton pasojat e fatkeqësisë së Çernobilit.

 

“Nëse nuk shtohet ujë i pastër, atëherë uji do të avullohet. Kur të avullohet uji, atëherë mbështjellësja prej zirkoniumi do të nxehet dhe mund të vihet në zjarr dhe pastaj do ta kemi një situatë të keqe – vënien në zjarr të uraniumit të rrezatuar, që është e ngjashme me situatën në Çernobil, ku ishin lëshuar një larmi e izotopeve radioaktive”.

 

Lirimi i hidrogjenit nga një pishinë e karburantit të shpenzuar e kishte shkaktuar një shpërthim në reaktorin e katërt në fatkeqësinë e centralit të Fukushimas në Japoni, më 2011.

 

Sipas një raporti të vitit 2017 të Ukrainës për IAEA, në Zaporizhja kishte mbi 2.200 tonë material bërthamor, duke përjashtuar reaktorët.

 

Kush e kontrollon?

 

Pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, forcat ruse e morën kontrollin e centralit në fillim të muajit mars.

 

Njësi speciale të ushtrisë ruse e mbrojnë centralin, ndërsa aty ndodhen edhe disa specialistë bërthamor rusë. Stafi ukrainas vazhdon të ndihmojë në funksionimin e centralit.

 

Pasi presidenti rus, Vladimir Putin, e aneksoi një pjesë të Ukrainës, përfshirë atë zonë ku ndodhet centrali bërthamor, ai nënshkroi një dekret më 5 tetor për ta formalizuar kontrollin rus të centralit.

 

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Rafael Grossi, ka propozuar krijimin e një zone për mbrojtje të sigurisë bërthamore përreth centralit./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *